Hoxhaj bën të ditur vendimin nëse do të kandidojë për kryetar të PDK-së

17:15 | 1 Korrik 2021
Përparim Bublaku

Enver Hoxhaj i cili ka qenë ushtrues detyre i kryetarit të PDK-së, ka bërë të ditur që nuk do të garojë për kryetar të kësaj partie në Konventën e 3 korrikut.

Ai këtë e ka bërë të ditur në një konferencë për medie të enjten pasdite, raporton arbresh.info.

PDK më 3 korrik do të mbaj konventën zgjedhore dhe Hoxhaj ka paralajmëruar se sot të bëjë të ditur nëse do të kandidojë për kryetar.

Deri më tani i vetmi që ka shpallur kandidaturën për të parin e partisë është Memli Krasniqi.

Deklarata e plotë e Hoxhajt:

E kam marrë udhëheqjen e përkohshme të PDK-së në një moment të vështirë si për vendin tonë, ashtu edhe për vet PDK-në. Qëllimi im ka qenë që PDK-ja të bëhet gati për tu përballur me sfidat që sjell qeverisja autoritare dhe izolacioniste e Albin Kurtit.Partia Demokratike e Kosovës e ka trashëgiminë nga lufta çlirimtare, pavarësimi i vendit dhe shtet-ndërtimi. Këto shtylla të PDK-së e vendosin partinë tonë si bartëse të betejës politike ndaj Kurtit dhe Vetëvendosjes – të cilët nuk e kanë asnjë trashëgimi në rrugëtimin e Kosovës. Përkundrazi kanë qenë pengesë dhe bllokuese të vendit.
Sot ne kemi njërën prej qeverive më të rrezikshme në vend. Qeveri e cila ka synim ta kthej mbrapshtë çdo të arritur të këtij vendi, ta izoloj shtetin tonë dhe të vendos një sundim autoritar. Prandaj nuk duhet të heshtim. PDK-ja duhet t’i mbroj arrijtjet e këtij vendi që janë arritje edhe të qytetarëve të Kosovës. Nga e shtuna, PDK-ja e hap një kapitull të ri. Ky kapitull duhet të shënoj rikthimin e PDK-së dhe trasoj vizionin për të ardhmen e partisë dhe të vendit. Krejt përvojën, dijen dhe përkushtimin do t’ia dedikoj forcimit, konsolidimit dhe rikthimit të PDK-së si parti fituese. PDK-ja është partia më reformatore në Kosovë. Gjithmonë ka ditur ta gjej rrugën përpara, të ripërtërihet me njerëz dhe kapacitete të reja.
Me PDK-në kam rrugëtuar në momentet më të mira të saj, në fitoret madhështore. Por ishte edhe fati im që ta udhëheq në momentet më kritike të ekzsitencës së saj. Që nga këto zgjedhje e deri më sot kam punuar me energjitë e fundit; kam punuar me shpirt për PDK-në, për Hashim Thaçin, për Kadri Veselin, për elektoratin e PDK-së. Një Kosovë më e mirë është ambicia ime e përhershme. Unë nuk jam kandidat për kryetar të partisë. Nuk është ikje nga gara, as nga përgjegjësia, as nga puna dhe përkushtimi. Vendimi im sot është në vijë me vendimet e mija që gjithmonë i kam marrë në PDK. Ky vendim është në të mirë të PDK-së. /arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale