Hoti i reagon ashpër Osmanit: Si mund të cenohet rendi kushtetues i Kosovës në Shtëpi të Bardhë?

11:57 | 17 Dhjetor 2021
A Z

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti i ka reaguar ashpër presidentes Osmani e cila sot në adresimin para deputetëve tha se është cënuar rendi kushtetues i Kosovës kur është nënshkruar marrëveshja në Uashington për moratorium 1-vjeçar për mos-aplikim në organizata ndërkombëtare.

Hoti përmes një postimi në Facebook, ka pyetur Osmanin se si mund të cenohet rendi kushtetues i Kosovës nga Zyra Ovale e Shtëpisë së Bardhë, meqë sipas Hotit, e njejta mbron shtetësinë e Kosovës më shumë se sa disa politikanë dhe bartës të institucioneve në Prishtinë.

Sipas tij, vetëm politikanë me orientime joperendimore mund të thonë dhe mendojnë gjëra të tilla.

Postimi i plotë i tij:

Si mund të cenohet rendi kushtetues i Kosovës nga Zyra Ovale e Shtëpisë së Bardhë, e cila e mbron shtetësinë e Kosovës më shumë se disa politikanë dhe bartës institucionesh në Prishtinë?!
Vetëm politikanë të llojit të caktuar, me orientime joperëndimore, mund të mendojnë dhe thonë gjëra të tilla.
E vërteta është se vetë ekzistenca e shtetit të Kosovës rrezikohet kur cenohen raportet me mikun më të madh të shtetit të Kosovës, SHBA-në.
Një politikan i përgjegjshëm dhe properëndimor, që e sheh Kosovën shtet të pavarur dhe të integruar në BE dhe NATO dhe jo ndryshe, punon me maturi dhe i ruan miqësitë.
Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe na ruajtë nga politikanët e papërgjegjshëm./arbresh.info/

Të ngjashme