Haradinaj-Stublla në Budapest nënshkruan marrëveshje për investime dhe edukim

13:10 | 29 Tetor 2020
A Z

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka deklaruar se gjatë ditës së sotme është takuar me Peter Szijjarto, ministër i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë.

Haradinaj-Stublla deklaroi se kanë nënshkruar dy marrëveshje bilaterale: Mbrojtjen dhe Promovimin e Investimeve, dhe Programin e Koordinimit për Shkencën dhe Edukimin.

“Po ashtu pata nderin të nënshkruaj Memorandumin e Mirëkuptimit për bashkëpunim në fushën e Edukimit e Shkencës për ofrimin e skemës së bursave ‘Stipendium Hungaricum’ – duke ngritur kështu numrin e bursave të ofruara nga Hungaria për studentët kosovarë nga 50 në 75 për tri nivele të studimeve”.

“E shoqëruar poashtu nga deputetja dhe Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme znj. Time Kadrijaj dhe Ministri i Arsimit dhe Shkencës z. Ramë Likaj, bashkërisht i shprehëm homologut Hungarez mirënjohjen ndaj Hungarisë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, subjektivitetit të saj ndërkombëtar, dhe aspiratën tonë Euro-Atlantike”, ka shkruar Haradinaj-Stublla në rrjetin social Facebook.

Szijjarto shprehu mbështetjen e plotë dhe të pa rezervë për të drejtën e vonuar të Kosovës për liberalizim vizash, duke ftuar edhe shtetet e BE-së për veprim strategjik dhe vendimmarrje finale.

Të ngjashme