Dhuna dhe trafikimi i grave, UN Woman: Mediat të respektojnë etikën në raportim

17:22 | 29 Shtator 2015
M. A.

Ministria e Brendshme dhe organizata ndërkombëtare UN Women me mbështetje të BE-së kanë organizuar sot një forum me median dhe shoqërinë civile për të folur rreth përmirësimit të mënyrës se si duhen raportuar te publiku ngjarjet me tematikë dhunën në familje dhe trafikimin e grave dhe vajzave.

Ky është takimi i 4-ët në kuadër të projektit: EIDHR, “Parandalimi dhe adresimi i dhunës ndaj grave e vajzave në Shqipëri”.

Sipas monitorimeve të shumta që i janë bërë medias nga ana e organizatave që operojnë në këtë fushë, vihet në dukje se ka shumë raste qe media jo vetëm në Shqipëri por edhe në Kosovë e në vende të tjera ta Ballkanit nuk e ruan etikën dhe privatësinë në çdo rast të ngjarjeve apo personazheve që kanë të bëjnë me dhunën në familje, për raste të trafikimit të grave dhe vajzave, krimit në familje, të miturve etj, dhe kjo mënyrë e përcjelljes së informacionit ka ndikuar negativisht te vetë viktimat, por ka nxitur edhe ‘vetëvrasje’ apo shtim të rasteve të dhunimit në shoqëri.

Ndaj dhe lipset një mënyrë e re komunikimi dhe raportimi e ngjarjeve dhe lajmeve me tematikë të tillë. Sipas monitorimit që i ka bërë medias në Shqipëri, UN Woma n, rezulton se raportimi rreth trafikimit të grave dhe vajzave në Shqipëri mbetet në nivelin e lajmeve telegrafike, të cilat ndalen në shtresën e parë të raportimit dhe nuk i japin përgjigje pyetjes; pse?

Vetëm në 0.8 % të artikujve të monitoruar, vërehen përpjekje të pakta për të hedhur dritë mbi shkaqet dhe faktorët që i shtyjnë gratë dhe vajzat të bien pre e trafikimit. Gjini të tilla si investigimi dhe reportazhi, mungojnë plotësisht (0 % artikuj).

Lidhur më këtë fenomen, zëvendësministrja e Brendshme, Elona Gjebrea shkruan se: Trafikimi në njerëz, veçanërisht ai i vajzave dhe grave është një fenomen që ka nevojë për profesionistët e medias për të informuar, mobilizuar, dhe përfshirë publikun duke ndihmuar kështu në parandalimin dhe në luftën kundër trafikimit. Historitë që media sjell dhe mënyra se si ia ofron ato publikut edukojnë në një mënyrë të caktuar publikun, ndërkohë që e informojnë atë. Një rast trafikimi i raportuar me ndjeshmëri ndaj viktimës, të drejtave të njeriut dhe ruajtjes së konfidencialitetit për të mbrojtur dhe respektuar të drejtat e viktimës është në ndihmë të të gjithëve, ”thotë Gjebrea.

Vitet e fundit rastet e dhunës në familje dhe të trafikimit janë rritur, por paralelisht edhe vetë viktimat janë ndërgjegjësuar për të denoncuar dhunën që ushtrohet ndaj tyre, duke iu referuar medias për informacion, dhe për të gjetur mënyrat e mbrojtjes.

Shpërndaje në rrjete sociale