Cloudflare zgjidh ndërprerjen globale, CTO kërkon falje për internetin

23:44 | 18 Nëntor 2025
E.G

Cloudflare ka njoftuar se ka zgjidhur problemet që shkaktuan ndërprerje në aksesin e disa aplikacioneve dhe faqeve të internetit, përfshirë X, League of Legends, Spotify, ChatGPT dhe Downdetector. Kompania tha se shërbimet po funksionojnë normalisht dhe nuk po vëzhgohet më asnjë gabim apo vonesë të rrjetit.

Raportimet për ndërprerje dhe probleme në aksesimin e aplikacioneve u rritën të martën, ndërsa përdoruesit përjetuan “gabime 500”, që tregojnë se serveri i faqes po funksionon gabim. Cloudflare bëri me dije se një rritje e pazakontë trafiku ka shkaktuar gabime për disa klientë, ndërsa po punonte për zgjidhjen e problemit.

Pas zgjidhjes së ndërprerjes, CTO i Cloudflare, Dane Knecht, kërkoi falje për internetin. Ai shkroi në X: “Më herët sot dështuam ndaj klientëve tanë dhe internetit më të gjerë kur një problem në rrjetin @Cloudflare ndikoi në sasi të mëdha trafiku që mbështeten tek ne. Faqet, bizneset dhe organizatat që mbështeten tek Cloudflare varen nga ne që të jemi të disponueshëm dhe kërkoj falje për ndikimin që kemi shkaktuar.”

Ai shtoi se “problemi, ndikimi që shkaktoi dhe koha për zgjidhje janë të papranueshme. Po punohet tashmë për t’u siguruar që të mos ndodhë më, por e di që sot shkaktua vërtet dhimbje.”

Kjo ndërprerje vjen pas defekteve të mëparshme të Cloudflare, Amazon Web Services dhe Microsoft Azure, duke ngritur pyetje mbi besueshmërinë e shërbimeve të përdorura gjerësisht në internet.