Behgjet Plakolli tregon për tmerrin që e kishte përjetuar në veri të Mitrovicës

09:35 | 12 Shtator 2015
M. A.

Në Gjykatën Themelore të Mitrovicës në veri të këtij qyteti, ka vazhduar të premten gjykimi kundër Oliver Ivanoviq dhe katër të dyshuarve të tjerë, Dragolub Delibashiq, Ilija e Nebojsha Vujaçiq dhe Aleksandar Llazoviq, të cilët akuzohen për krime ndaj popullatës shqiptare në vitin 1999 – 2000 në Mitrovicë.
Dëshmitari Behgjet Plakolli ka rrëfyer para trupit gjykues se natën e 3 shkurtit të vitit 2000 ka qenë me bashkëshorten Florijen dhe njërën prej vajzave të tij Luljetën, në banesën e tyre në veri të Mitrovicës.

Sipas tij, atë natë rreth orës 21:00 një grup prej tetë personave serbë kanë hyrë në ndërtesën e tij, duke kërkuar nga banorët shqiptarë t’i lëshojnë banesat e tyre.

Ai ka sqaruar se kishte jetuar në katin e katërt, ndërsa personat të cilët ngjiteshin në katet e sipërme kanë hasur në rezistencë që në katin e dytë te banesa e Ismet Hasanit, i cili nuk ndodhej atë natë në banesë, por vetëm bashkëshortja e tij Mejremja me vajzën.

“Mejremja është konfrontuar ashpër fizikisht me këta persona, duke kundërshtuar kështu braktisjen e banesës së saj, edhe pse personat ishin të armatosur dhe kishin radio-lidhje. Kam telefonuar menjëherë fqinjin nga kati i tretë, Hazir Kaçikun, i cili ka dalë në korridor bashkë me një pushkë automatike, ndërsa unë mora një sëpatë të vogël që kisha në shtëpi. Personat me të arritur në katin e tretë, kanë vërejtur Hazirin që mbante në dorë automatikun, derisa ky i fundit i ka pyetur me zë të lartë ‘ku po shkoni he nënën..’. Njëri prej këtyre personave ka bërtitur me të madhe ‘ikni se kanë armë’, dhe të gjithë kanë filluar të zbresin shkallëve teposhtë. Duke ikur, njëri prej tyre ka nxjerr revolen dhe ka shtënë 7-8 herë në derën e Mejreme Hasanit, që ndodhej në katin e dytë të ndërtesës”, ka thënë mes tjerash Plakolli.

Pas dy tre minutash, shtoi ai, ata kanë shkuar në banesën e Mejremes për të parë se çfarë ka ndodhur, por fatmirësisht përveç gjurmëve të plumbave në derën e hyrjes, të dhomës dhe në orman nuk kishte të lënduar.

Ai bëri të ditur se pas incidentit, kanë filluar telefonatat mes banorëve shqiptarë të asaj pjese, nga të cilat ishte informuar për vrasjet, plagosjet, por edhe masakrimin e Muharrem Sokolit që kishte ndodhur në ndërtesën që ndodhej jo shumë larg ndërtesës së tij, përcjell ksp.

Plakolli shtoi se banesën e tij nuk e kishte braktisur natën e 3 shkurtit, por më 5 shkurt, pas shumë sulmeve të vazhdueshme, nga të cilat u detyrua të dalë dhe mos të kthehet më sot e asaj dite.

Në lidhje me Oliver Ivanoviqin dhe të dyshuarit tjerë, dëshmitari tha se i njeh mirë, por që asnjërin prej tyre nuk i kishte parë netët kritike.

Ndryshe, dëshmitarja tjetër e paraparë për ditën e sotme Hava Sejdijaj, për shkaqe shëndetësore nuk ka qenë në gjendje të marrë pjesë në seancën e sotme, ndërsa seanca e radhës do të vazhdojë të martën më 15 shtator me dëshmitarët Murat e Dhurata Shkodra.

Shpërndaje në rrjete sociale