Bajrami: Dorëzuam 17 kallëzime penale, Kurti dhe ish-ministrat po i shfrytëzojnë resurset me pasoja financiare për vendin

14:44 | 8 Maj 2025
E.K

Deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) kanë dorëzuar zyrtarisht kallëzime penale në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës ndaj ish-kryeministrit Albin Kurti dhe të gjithë ish-ministrave të Qeverisë së kaluar, të cilët janë zgjedhur deputetë.

Deputetja Bajrami tha se kallëzimi ka për qëllim akuzat për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, në kundërshtim me Ligjin për Qeverinë dhe Kodin Penal të Kosovës.

Bajrami ka njoftuar se janë dorëzuar gjithsej 17 kallëzime penale kundër Kurtit, ministrave të tij në detyrë dhe një ish-zv.ministreje.

Ajo theksoi se këta individë, të certifikuar si deputetë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më 27 mars, kanë vazhduar të ushtrojnë funksione ekzekutive, duke shkelur ligjin.

“Kemi dorëzuar 17 kallëzime penale kundër kryeministrit ish kryeministrit Albin Kurti dhe ish ministrave të kabinetit të tij, duke përfshirë këtu edhe një ish zv/ministre. Të gjithë këta të zgjedhur deputetë deh të certifikuar sipas rezultati zgjedhor nga KQZ-ja më 27 mars. Ne konsiderojmë dhe besojmë se nga data 27 mars janë në kundërshtim me nenin 26 të ligjit për qeverinë, ligj ky i hartuar dhe miratuar nga votat e deputetët të VV-së në mandatin e kaluar më 2022”,pohoi Bajrami.

“Duke qenë se prej datës së certifikimit vazhdojnë të qëndrojnë në zyrat e ministrive duke shfrytëzuar resurset e duke marrë vendime që kanë pasoja financiare e të tjera, e duke shfrytëzuar resurset e institucioneve të Kosovës kanë konsumuar vepër penale. Prandaj kemi dorëzuar këto kallëzime penale. Neni 26 thotë se anëtarë i qeverisë në detyrë në rast se zgjedhjet deputetë në Kuvendin e Kosovës duhet të japë dorëheqje një ditë para datës së certifkimit.Këta kanë thënë që kanë dhënë dorëheqje derisa vazhdojnë të qëndrojnë në zyra e të marrin vendime.Nga disa ministra kemi marrë qasje, disa të tjerë s’na kanë dhënë tashëm është në dorën e Prokurorisë që të kërkojnë qasje në vendime të tjera”, tha tutje ajo./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale