​Ferizaj fillon fazën e legalizimit të objekteve pa leje

15:05 | 21 Shtator 2015
M. A.

Pas regjistrimit dhe formimit të regjistrit të objekteve të ndërtuara pa leje, komuna e Ferizajt gjatë këtij muaji ka nisë të pranoj aplikacione për legalizimin e këtyre objekteve.

Zyrtarë nga Drejtoria për Urbanizëm dhe Mjedis, gjatë një konference për medie, kanë bërë të ditur të hënën se në këtë fazë janë evidentuar rreth 32 mijë objekte pa leje dhe se tashmë është përpiluar edhe një liste e cila është përcjellë për në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), si dokument zyrtar nga Komuna e Ferizajt.

“Me 16 shtator ne kemi filluar të pranojmë aplikacionet për legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje. Shpesh herë të qytetarët po krijohet një dilemë, sepse ata duke i lajmëruar objekteve e tyre që janë të ndërtuara pa leje, po mendojnë se me këtë ka përfunduar puna. Nuk është ashtu sepse ka përfunduar vetëm faza e parë, për arsye se për të legalizuar një objekt është kusht që duhet të jetë në listën e ndërtimeve pa leje. Ne këtë fazën e kemi kryer tash pason faza e dytë ku është legalizimi i objekteve të ndërtuara pa leje”, ka thënë drejtori i Drejtorisë për Urbanizëm, Faik Grainca.

Më tutje, ai ka shtuar se ky proces do të zgjasë deri në shtatorin e vitit të ardhshëm, duke i ftuar njëherit të gjithë qytetarët ferizajas që të drejtohen në Drejtorinë e Urbanizmit në mënyrë që ky proces të përfundojë në mënyrën më të mirë të mundshme.

“Taksa është me e lirë se ajo ndërtimore, është rreth 2.8 euro për metër katror. Objektet private që janë deri në 100 metra katror nuk i nënshtrohen kësaj takse, ndërkaq mbi 100 metra duhet të paguajnë taksën mbi 2.8 euro”, tha Grainca.

U bë e ditur se nga ky proces më së shumti përfitojnë qytetarët, për shkak se në momentin që bëhet legalizimi shtëpia apo banesat e tyre do të figurojnë ne emrin e personit që aplikon, por edhe që ka leje ndërtimore.

“Momentin kur përfundon procesi i legalizimit, komuna e formon listën e objekteve të legal izuar, ndërkaq lista tjetër mbetet si objekte që nuk ju kanë nënshtruar legalizimit dhe automatikisht i nënshtrohen procedurës së rrënimit”, është shprehur Grainca.

Ndryshe, procesit të legalizimit të objekteve pa leje i janë nënshtruar edhe shtete të tjera të rajonit si Shqipëria, Maqedonia etj.

Shpërndaje në rrjete sociale