Drejtori i Arsimit në Prishtinë: Nuk ka shkurtim të orëve mësimore

19:38 | 19 Shkurt 2026
E.H

Komuna e Prishtinës ka dalë me një vendim për zhvillimin e procesit mësimor për shkak të muajit të shenjtë të Ramazanit.

Drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Samir Shahini, ka thënë për Radio Kosovën se nuk ka shkurtim të orëve mësimore, por vetëm përshtatje të pushimeve, aty ku ka mundësi. Shahini tha se ka disa shkolla që nuk mund t’i përmbahen këtij vendimi.

Drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Samir Shahini, duke folur për Radio Kosovën, thotë se nuk ka shkurtim të orëve mësimore, por vetëm përshtatje të fillimit të mësimit, për të krijuar lehtësira gjatë këtij muaji.

“Nuk kemi më pak orë, kemi numrin e njëjtë të orëve mësimore dhe të minutave. Ka ndodhur një përshtatje duke e filluar mësimin pak më herët dhe duke e përfunduar atë pak më herët. E rëndësishme është që masa e madhe e mësimdhënësve dhe nxënësve e kanë këtë orar përbrenda tyre. Po flasim për një numër shumë të vogël të klasave që do t’u përshtaten, sepse të tjerët edhe ashtu e përfundojnë mësimin në ora 16:30. Kemi disa ditë të ndryshme ose klasa të caktuara që zgjasin pak më tepër, derisa pjesa tjetër përfundojnë në ora 16:30 dhe aty nuk ka pasur nevojë për ndërhyrje”, ka thënë Shahini.

Shahini tha se janë disa shkolla që nuk mund ta zbatojnë këtë vendim, derisa sqaroi edhe arsyet.

“I kemi 3 ose 4 përjashtime të shkollave që e kanë të pamundur ta zbatojnë këtë vendim. Fjala është për shkollën ‘Xhevdet Doda’, e cila për shkak të orarit të gjatë që kanë të dy ndërrimet e shkollës nuk mund të shkurtohet pa humbur orë mësimore, gjë për të cilën ne kemi qenë të vendosur që nuk mund ta bëjmë. Në anën tjetër, kemi disa shkolla të tjera që kanë ndërrime të cikleve 6, 7 dhe 9, paradite dhe pasdite, siç është ‘Ismail Qemali’, ish-objekti i ‘Xhevdet Dodës’, që shërben për nxënësit e shkollave ‘Faik Konica’ dhe ‘Xhemajl Mustafa’. Pra, janë disa shkolla specifike që janë prekur nga kjo, por në masë të madhe shumica e shkollave, aty ku ka pasur mundësi, e kanë përshtatur këtë orar pa asnjë problem”, ka shtuar ai.

Kjo është hera e parë që Drejtoria e Arsimit në kryeqytet merr një vendim të tillë. Shahini tha se këtë vit kanë pasur mundësi për një vendim të tillë, por vitin tjetër do të shohin se si do të jenë oraret e agjërimit dhe nëse do të mund ta përshtatin vendimin, duke mos dëmtuar procesin mësimor.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme