Lodhja dhe sëmundja nga pleqëria nuk e ndaluan Arife Kajtazi-Geci, që edhe sivjet të vijë në Izbicë. Në këtë fshat të Drenicës është varrosur vëllai i saj hasretit para 18 vitesh.
Vëllai i Arifes, Rexhë Kajtazi është në mesin e 147 shqiptarëve që më 28 mars të vitit 1999 u vranë dhe u masakruan në Izbicë.
Ndonëse është përvjetori i 18-të për këtë masakër dhe masakrat tjera ende nuk është dënuar askush.
Por shpresat se do ta sheh dikë që dënohet për vëllain e saj nuk kanë humbur për Arife Kajtazin-Geci. Ajo shpreson se një ditë do të dalin para drejtësisë ata që i bënë këto masakra.
Drejtësi për të vrarët e Izbicës kërkoj edhe Izet Duraku, babai i të cilit u vra para 18 vitesh në këtë fshat.
“Këtu e kam babën dhe pesë kushërinjtë tjerë, janë masakruar në masakrën e Izbicës kur forcat serbe hynë këtu me dhunë, duke dal me familje, fëmijë, gra, duke marr hak në civil, njerëz të pafajshëm, të pambrojtur. E sot bëhen 18 vjet, asnjë kriminel serb nuk është dënuar për këtë masakër që ka bërë këtu në Izbicë e krejt Kosovën. Sot dënohen njerëz të pafajshëm, dënohen gjeneralët tanë duke mbrojtur pragun e shtëpisë. Këta janë dëshmorë që fal gjakut të tyre e gëzojmë sot lirinë”, tha Duraku.
Në Izbicë për pak minuta qëndroi edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Vesel, por i cili nuk qëndroi për të marrë pjesë në manifestimin qendror.
Duke kujtuar dhe nderuar viktimat, kreu i legjislativit theksoi se ky është çmimi i lirisë së Kosovës, një sakrificë e jashtëzakonshme njerëzore, nga foshnjat deri te njerëzit e palëvizshëm.
“Lavdia është e përjetshme për këta të rënë, ne nuk do t’i harrojmë kurrë dhe do të punojmë deri në fund që drejtësia të vihet në vend. Ajo çka është më kryesore, kurrë më në tokën tonë nuk do të ketë situata të tilla, kurrë më Kosova jonë, populli i saj kurrë më nuk do të jenë të pambrojtur. Për këtë, garanci janë institucionet e Republikës së Kosovës, me të gjithë mekanizmat e vet si shtet i pavarur dhe sovran”, theksoi Veseli.
Para homazheve në Izbicë, kryetari Veseli ka zbuluar pllakën përkujtimore në fshatin Kopiliq në vendin ku më 28 mars 1999, nga forcat serbe ishin vrarë motrat Ardita Behrami 13 vjeçe dhe Edona Behrami 5 vjeçe.
Duke folur në manifestimin qendror që u mbajt pranë varrezave të të vrarëve, nënkryetari i komunës së Skenderajt Fadil Nura tha se lufta solli lirinë, por bashkë me të solli edhe dhimbjen për humbjen e famuljarëve.
“Lufta për liri e udhëhequr nga UÇK-ja solli lirinë në këtë vend, por bashkë me të, solli edhe dhimbjet për humbjet e më të dashurve tanë. Secili nga ne që sot ka një histori të dhimbshme dhe krenare për heroizmin dhe sakrificën e vëllezërve dhe motrave tona, për heroizmin dhe sakrificën e baballarëve dhe nënave tona. Pushtuesi serb shpesh duke mos mundur të përballej me trimërinë dhe vetëmohimin e bijve me të mirë të Kosovës, u hakmor duke vrarë e masakruar, gra, pleq e fëmijë, faji i vetëm ishte në trojet e tyre stërgjyshore dhe pse ishin shqiptarë”, tha Nura.
Një fjalë rasti në këtë ceremoni ka mbajtur edhe kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së Xhavit Jashari.
Ai tha se Izbica është shkolla e parë se si duhet të mësohet historia, të cilën është dashur, të cilën duhet dhe të cilën doemos do të mësohet një ditë, por që siq tha Jashari “askush nuk na falë pse ky mësim është vonuar kaq shumë”.
Pas fjalimeve dhe homazheve për nder të të rënëve është shfaqur edhe një program kulturoro-artistik.
Masakra e Izbicës është njëra ndër masakrat më të mëdha gjatë luftës në Kosovë. Forcat serbe për një ditë kanë vrarë civilë shqiptarë ku më vonë janë kthyer në vendin e krimit dhe për të humbur gjurmët kufomat e tyre i kanë marrë dhe i kanë dërguar në varrezat masive.
AUV tërheq nga tregu ëmbëlsirat xhelatinoze ‘Jelly’ të prodh...
Haxhiu: Thirrja për dy gjyqtarët e Kushtetueses hapet më 26 ...
Pas Abdixhikut, edhe Kurti arrin në Kuvend për takimin
Çështja e presidentit, Abdixhiku mbërrin në Kuvend për takim...
Biletat në shitje për ndeshjen e Kosovës ndaj Sllovakisë
Kurti pret përfaqësuesin e UNDP-së, në fokus të diskutimit b...