PDK: Pushteti i Kurtit mund ta vonoj, por nuk mund ta ndaloj hetimin parlamentar për krizën energjetike

15:40 | 19 Prill 2022
A Z

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka mbajtur sot konferencë për media ku ka folur për mos-votimin e Komisionit Hetimor Parlamentar.

Krasniqi ka thënë se nuk e di se çfarë po fshehin deputetët e pozitës, të cilët kanë kundërshtuar themelimin e Komisionit Hetimor për çështjet e lartëcekura.

Ai i konsideron se kjo nuk është vetëm përpjekje për fshehje të së vërtetës, por edhe precedent i rrezikshëm ndaj demokracisë dhe sundimit të ligjit, andaj PDK do të përdorë çdo mjet demokratik për ta zbardhur të vërtetën lidhur me keqpërdorimet e bëra në periudhën e krizës energjetike.

“ Pushteti i sotëm i Albin Kurtit këtë proces edhe mund ta vonojnë, por nuk do të mund ta ndalojnë. Le të jenë të bindur të gjithë se ky hetim do të ndodhë dhe veprat penale që kanë mundur të kryhen në lidhje me çështjet që jane subjekt i kërkesës për hetim parlamentar, jo vetëm që nuk do t’i heshtim, por do të përdorim çdo mjet demokratik për ta nxjerrë të vërtetën në shesh dhe për t’i dërguar të gjithë përgjegjësit aty ku e kanë vendin.”, tha Krasniqi.

Tutje ka deklaruar se shpreson që deputetët “t’i thërrasin mendjes” dhe të reflektojnë.

“T’i thirrin mendjes, pse duhet të mbrohet dikush që ka shkelur Ligjin? Pse po ndalohet themelimi i Komisionit Hetimor i cili do të zbardhte publikisht se ku kanë shkuar taksat e qytetarëve gjatë këtyre muajve? Neglizhenca e Qeverisë ndaj opozitës deri më tani i ka kushtuar Kosovës me miliona euro. Kjo nuk mund të fshihet, kjo e vërtetë do të dalë në shesh. As Albin Kurti e askush tjetër nuk mund të fshehë keqpërdorimet”, tha ai./arbresh.info/