Gazetarja ukrainase e përshkruan ditën e parë të luftës në Ukrainë

12:47 | 18 Prill 2022
S D

Gazetarja e parë ukrainase që ka arritur në Kosovë, Lyudmila Makey, e ka përshkruar ditën e parë të luftës në Ukrainë.

Ajo tha se më e tmerrshmja ishte se vajza e saj ishte në Kiev, ku edhe kanë filluar bombardimet.

“Kur i hapa lajmet, e pash që bombardimet kanë filluar në Kiev, dhe më e tmerrshmja ishte që në Kiev ishte vajza ime. Mendova ta kontaktoj, por s’kishte qasje në rrjet. Pas disa orësh e kontaktova dhe ajo më tha se është mirë dhe se gjithçka ishte në rregull, por kishte bombardime gjithandej”.

“Nuk e dija si mund të ndihmoja sepse nga Kievi s’mund të dilje, ishte krejt e bllokuar. Unë kam pasur mundësi të kontaktoj me motrën time se jetonte afër qytetit dhe vendosa të shkoj tek ajo që të rrinim së bashku. Fillova pastaj të lexoja lajme, por s’mund të besoja, mendoja që ishte ëndërr. Por, jam gëzuar që dëgjova se të gjithë të afërmit e mi ishin gjallë”, tha ajo.

Makey më tej tha se ka lexuar dhe ka dëgjuar për Kosovën, por s’ka raportuar për të, pasi siç tha ajo, s’kishte kolegë kosovarë nga të cilët mund të merrte informacione të vërteta.

“Kam dëgjuar dhe lexuar përpara për Kosovën. Kam kuptuar që edhe njerëz të tjerë që e kanë përjetuar luftën e njëjtë, mund të na kuptojnë neve. Nuk kam pasur mundësi të shkruaj për Kosovën sepse nuk kam pasur kolegë nga Kosova që të marr informata të vërteta, por tash i kam”, shtoi ajo.

Lyudmila Makey është gazetarja e parë ukrainase që ka arritur në Kosovë, pasi është detyruar të largohet nga Ukraina pas invazionit rus./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale