Avokati Musa: Besoj në pafajësinë e Fadil Rexhepit

21:28 | 19 Mars 2015
Arbresh.info

Skender Musa, avokati mbrojtës i Fadil Rexhepit, drejtor për Migrim dhe të Huaj në Policinë Kufitare, i arrestuar sot, beson se klienti i tij është i pafajshëm dhe se do të lirohet pasi që nuk është paraqitur ndonjë provë se ka kryer veprat penale.
Avokati Musa i tha Telegrafit se i mbrojturi i tij është intervistuar në Inspektoratin e Policisë së Kosovës për dy vepra penale, keqpërdorim i detyrës zyrtare nga nenin 422 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK) dhe për veprën penale zbulim i fshehtësisë zyrtare nga nenin 433 i KPRK.

“Gjatë intervistimit, klienti im ka arritur që të dëshmoj se gjitha punët që i ka kryer në kuadër të kompetencave të tij i ka kryer konform ligjit për shtetas të huaj dhe procedurave të brendshme të drejtorisë për migrim e cila vepron në kuadër të policisë së Kosovës këtë e ka dëshmuar me raporte proces verbale dhe procedurave operative”, tha Musa për Telegrafin

Ai matej tha se nuk është paraqitur asnjë fakt, prove me të cilën mund të dëshmohet se ka kryer veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare, raporton Telegrafi.

“Gjithashtu nuk janë paraqit ndonjë provë se i mbrojturi im z.Rexhepi ka zbuluar ndonjë informatë apo dokument të cilat janë të drejtuara në cenimin e rëndë të drejtave themelore të njeriut ose mos zbulimi i të cilave do të mund të rrezikonte rendin kushtetues apo sigurinë e Republikës së Kosovës, por as ndonjë informatë ose dokument e cila ka pasur për qëllim fshehjen e kryesit të veprës penale të dënueshme me së paku pesë vite burg ashtu, siç kërkohet me dispozitën e nenin 433 paragrafi 5 nën paragrafi 5.1 dhe 5.2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, tha ai.

Sipas Musës, në vendin e punës ku ka punuar i mbrojturi tij ka qenë e pamundur të kryhet kjo vepër penale “për shkak se ai nuk ka disponuar informata apo dokumente të klasifikuara në bazë të ligjit si dokumente sekrete apo fshehtësi zyrtare ashtu siç kërkohet në dispozitat ligjore”.

“I mbrojturi im njihet si njeri ndër oficerët policorë më të zellshëm, korrekt i cili ka punuar shumë që të largohen shtetasit e huaj që kanë qëndruar dhe punuar ilegalisht në Republikën e Kosovës dhe që në mënyrë direkte ka zbatuar politikat e qeveris së Republikës së Kosovës që kanë pasur të bëjnë me kontrabandim të emigranteve, prostitucionit dhe veprimtarit tjera kriminale”.

Musa beson se gjykata do t’i analizojë të gjitha provat dhe klienti i tij Fadil Rexhepi do të mbrohet në liri./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale