Pacolli: Buxheti i Komunës së Prishtinës në mandatin tim do të jetë 200 milionë euro

21:34 | 13 Tetor 2017

Kandidati për Kryetar të Komunës së Prishtinës nga AKR, Selim Pacolli thotë se në mandatin e tij buxheti i komunës do të jetë 200 milionë euro. Pacolli sot premtoi edhe politika favorizuese për prodhuesit vendor dhe përmirësim të lagjes Ulpiana.

Kandidati për Kryetar të Komunës së Prishtinës nga AKR, Selim Pacolli vizitoi sot tregun me shumicë në Prishtinë. Gjatë kësaj vizite Pacolli pa për së afërmi kushtet me të cilat shitësit përballen çdo ditë në këtë treg. Para tyre ai deklaroi se nuk ka asnjë hezitim që në të ardhmen ky treg të shndërrohet në ndërmarrje publike apo shoqërore.

Gjithashtu Pacolli shtoi se do të punojë në përmirësimin e gjendjes së tregut. “Unë ju premtoj se ky treg nuk do të jetë në këtë gjendje në mandatin tim. Ky treg është në interes ekonomik për Komunën e Prishtinës”, theksoi Pacolli.

Për më tepër Pacolli shtoi se duhet të krijohen mjete për qytetarët e Prishtinës, jo të merren mjete nga ata, duke i ngritur çdo herë taksat.

Sa i përket buxhetit komunal, Pacolli tha se ka dhjetë vite që buxheti nuk ka ndryshuar dhe me qeverisjen e tij në Prishtinë, ai premtoi se ky buxhet do të ngritet.

“Premtoj që buxheti i Komunës së Prishtinës, brenda mandatit tim do të jetë 200 milionë euro” tha Pacolli. Gjithashtu ai shtoi se edhe në këtë pikë të programit të tij për Prishtinë nuk flet në cilësinë e politikanëve por në cilësinë e menaxherëve të cilët dinë si të krijojnë para, u shpreh ai.

Selim Pacolli premton se do ta përmirësojë pamjen e lagjes Ulpiana

Në vazhdimin e vizitave nëpër lagje, kandidati për Kryetar të Komunës së Prishtinës nga AKR, Selim Pacolli vizitoi sot lagjen Ulpiana në Prishtinë, konkretisht ai pa për së afërmi soliterët në këtë lagje. Kjo lagje sipas Pacollit dikur ishte lagjja më e bukur, ndërsa sot është më e shëmtuara në Prishtinë.

Ajo se çfarë parashihet për lagjen Ulpiana nga Pacolli është përmirësimi i kushteve të jetesës dhe ndryshimi i pamjes së ndërtesave përreth.

Për më tepër Pacolli shtoi se çdo ditë vijnë ankesa nga qytetarët se këto ndërtesa janë pothuajse të pabanueshme, që ju mungojnë parkingjet, ju mungojë dritaret jashtë hyrjeve, ku fëmijët që banojnë në këto ndërtesa janë të rrezikuar çdo ditë.

Ajo se çfarë u theksua nga ana e Pacolli është zotimi i tij që qytetarët nuk do t’i kenë më këto shqetësime pas katër viteve të tjera.

“Në programin tonë parashihet që fasadat në kryeqytet duhet të jenë të përfunduara, të kenë ndriçim, të jenë të pastra brenda, të posedojnë ndriçim nëpër shkallë dhe kopshte dhe hapësira të gjelbra” u shpreh Pacolli.

Selim Pacolli: Duhet të kemi politika favorizuese për prodhuesit vendor

Në vazhdimësi të takimeve, kandidati për Kryetar të Komunës së Prishtinës nga AKR, Selim Pacolli, vizitoi sot edhe disa mobileri në Prishtinë. Selim Pacolli Për së afërmi u njoftua me kushtet e punës së tyre dhe premtoi se prodhuesit vendorë do ta kenë përkrahjen e plotë.

Për prodhuesit e brendshëm. Pacolli gjithashtu shtoi se do të ketë politika favorizuese, ku ata do të mbështeten me subvencione në formë të granteve për zhvillimin e biznesit.

“Në Komunën e Prishtinës do të jetë një adresë e sigurt për kërkesat e tyre. Sepse bizneset e vogla dhe të mesme janë shtylla kryesore e zhvillimit të çdo ekonomie moderne” theksoi Pacolli.

Gjithashtu ai shtoi se sidomos për zejtarët të cilët kanë ruajtur traditën e tyre, programi i tij parasheh që të lirohen nga tatimi dhe ky profesion do të ruhet si aset kulturorë.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara