Dizajni i ri i stacionit të Tesla Supercharger e bën më të lehtë karikimin

21:37 | 8 Janar 2023

Rrjeti Supercharger i Tesla është padyshim zinxhiri më i madh i karikimit të veturave elektrike në botë, me mbi 40,000 stacione globalisht që ofrojnë deri në 250 kW energji.

Por ai nuk është perfekt dhe shoferët e Tesla-s që shpesh tërheqin edhe rimorkio e dinë më mirë se kushdo tjetër.

Tradicionalisht, një vendndodhje Tesla Supercharger i ka shtyllat e karikimit të instaluara në atë mënyrë që ju duhet të tërhiqeni ose të ktheheni në hapësirën e parkimit.

Kjo nuk është ideale për ata që tërheqin një rimorkio, pasi rimorkio mund të bllokojë hyrjen në stacionet e tjera të karikimit, në varësi të mënyrës se si shoferi zgjedh të parkojë veturën.

Nëse nuk ka hapësirë brenda lokacionit, siç ndodh ndonjëherë, rimorkioja mund të duhet të jetë e shkëputur, gjë që nuk është saktësisht e rehatshme.

Por me një dizajn të ri të stacionit të shfaqur nga Tesla, kjo nuk do të jetë më e nevojshme, raporton insideEvs, transmeton Telegrafi.

E publikuar në një cicërim në llogarinë e kompanisë TeslaCharging, stacioni i ridizajnuar Supercharger i cili ishte hapur në Kiplev të Danimarkës, në total ka 24 porte mbushëse, 8 prej të cilave janë vendosur në mesin e stacionit, duke u mundësuar shoferëve që të futen lehtësisht dhe duke mundësuar hapësirë të mjaftueshme për rimorkiot.

Të gjitha stacionet janë të varietetit V3 dhe janë të afta të ofrojnë deri në 250kW si për veturat elektrike Tesla ashtu edhe për automjetet e tjera jo-Tesla me përputhshmëri me CCS.

Me fjalë të tjera, është një nga vendet që janë pjesë e programit pilot të kompanisë që lejon çdo lloj EV me prizë CCS të rimbushet në vendndodhjet e tij.

Me rritjen e prodhimit dhe dërgesave të Tesla-s, ndërkohë që përgatiti edhe lansimin e Cybertruck dhe Roadster-it të ri, ishte vetëm çështje kohe derisa Tesla të dilte me dizajne të reja dhe të përmirësuara për stacionet e saja Supercharger.

Shpërndaje në rrjete sociale