A është i sigurt aplikacioni TikTok? Ja çfarë duhet të dini

12:41 | 18 Prill 2021

TikTok është një aplikacion popullor i mediave sociale, i ndërtuar rreth një arkivi të madh videos të shkurtra të realizuara nga përdoruesit e tij. Në pronësi të kompanisë kineze “ByteDance”, TikTok parashikohet që t’i tejkalojë brenda këtij viti 1 miliard përdorues aktivë mujorë.

Kjo e bën atë një nga aplikacionet më të mëdha të mediave sociale, me gati të njëjtën trafik aktiviteti si Instagram. Çdo kompani e mediave sociale me një shtrirje të ngjashme, si për shembull Facebook, është kritikuar vazhdimisht për politikat e saj të privatësisë.

TikTok ka marrë një vëmendje të madhe gjatë viteve të fundit. Administrata Trump tentoi vazhdimisht që të ndalojë aplikacionin në SHBA, duke përmendur rrezikun që “ByteDance”, të ndajë të dhënat e saj të përdoruesve me qeverinë kineze.

Edhe presidenti i ri amerikan Xho Bajden, e cilësoi që në vjeshtën e vitit 2020, kur ishte ende kandidat, aplikacionin TikTok si “një çështje vërtet shqetësuese”. Shumë ekspertë të sigurisë kibernetike, sugjerojnë që të gjitha këto gjëra të mbahen parasysh, por mos të teprohet.

“Nga të gjitha rreziqet serioze kibernetike me të cilat përballet një konsumator i zakonshëm, TikTok nuk është në krye të listës. Shumica e amerikanëve duhet të shqetësohen më shumë për mashtrimin me kartat e kreditit dhe me mbrojtjen e fjalëkalimeve, sesa nga TikTok”- thotë Monika Itën-Kardone, bashkëthemeluese dhe zyrtarja kryesore operative e “Chargebacks911”.

Edhe Çester Visnievski, shkencëtar i kërkimit në kompaninë “Sophos” bie akord me këtë konstatim:”TikTok nuk paraqet më shumë rrezik për një përdorues, sesa çdo aplikacion tjetër në mediat sociale. Kjo nuk do të thotë që nuk ka shumë rreziqe, dhe që ndryshon shumë nga Facebook, Twitter apo Instagram”.

Ndërsa politikanët vazhdojnë të diskutojnë masat legjislative kundër TikTok – senatorët republikanë Xhosh Houli dhe Rik Skot prezantuan një projektligj në vitin 2020 për të mos lejuar punonjësit federalë ta përdorin aplikacionin në pajisjet qeveritare – ka ende pak prova për dëmet e tij.

Eksperit Pol Bishof nga kompania “Comparitech”, është kritik ndaj sulmeve të forta ndaj aplikacionit:”Rreziqet e supozuara të TikTok ndaj sigurinë kombëtare, ishin kryesisht të motivuara politikisht”.

Gjithsesi ekspertë të tjerë të sigurisë kibernetike shprehin shqetësim mbi cenimin e privatësisë. Si çdo aplikacion i mediave sociale, TikTok mbledh të dhënat e përdoruesve.

Por shkalla e të dhënave që kërkohen është e jashtëzakonshme.

Aliza Vigderman, gazetare në “Security.org”, tha se TikTok mund të mbledhë deri në 50 lloje informacioni nga përdoruesit 13 vjeç e sipër, nga mosha, emri i përdoruesit, gjinia, adresa e postës elektronike deri në detaje në lidhje me telefonin tuaj celular, përmbajtjen e mesazheve, dhe përcjelljen e të dhënave në lidhje me aktivitetet tuaja në internet.

Për shkak se kompania ndan informacione me “shitësit e reklamave, marketingut dhe analizave”, Vigderman vlerësoi se “informacioni juaj nuk është i sigurt me TikTok”. Që ta përdorë TikTok, një përdorues duhet ta lejojë aplikacionin të ketë qasje tek mikrofoni, kamera, kontaktet, dhe shërbimin e vendndodhjes.

Shumë politikanë amerikanë, besojnë se Kina mund të përdorë TikTok për të spiunuar qytetarët e SHBA-së. Vetë TikTok, thotë se i ruan të dhënat personale të përdoruesve amerikanë në servera që i ka në SHBA, për t’i mbrojtur ata nga kërkesat e qeverisë kineze, por besueshmëria e këtij shpjegimi është e debatueshme.

Po si mund të reduktohen rreziqet e mundshme nga TikTok? Së pari mos përdorni emrin tuaj të plotë apo të specifikoni moshën tuaj. Së dyti mund ta bëni llogarinë tuaj private. Së treti mos lejoni që t’ju gjejnë përdoruesit e tjerë, Dhe së fundmi mos lejoni që përdoruesit e tjerë të ndërveprojnë me ju. Gjithashtu ju mund të aktivizoni opsionet e privatësisë, dhe të kufizoni vetëm tek miqtë numrin e atyre që mund t’ju dërgojnë mesazhe të drejtpërdrejta.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara