Zyrtare: Kosova konfirmon largimin e Kurtulus drejt Suedisë

14:18 | 27 Maj 2022

Zyrtare: Kosova konfirmon largimin e Kurtulus drejt Suedisë

Kombëtarja e Kosovës në futboll po mban sot konferencë për media para ndeshjeve të qershorit.

“Dardanët” do t’i luajnë katër ndeshje në qershor, të vlefshme për Ligën e Kombeve.

Kosova do të përballet me Qipron, Greqinë dy herë dhe Irlandën e Veriut gjatë muajit qershor.

Menaxheri i kombëtares së Kosovës, Bajram Shala e ka konfirmuar largimin e Edvin Kurtulus nga kombëtarja e Kosovës.

Ai tha se ishte ftuar nga Kosova U-21 për këto ndeshje, por ai u kishte treguar se ka vendosur të luajë për Suedinë.

Mbrojtësi 22-vjeç deri më tani ka luajtur për ekipin e shpresave të “Dardanëve”, Kosovën U-21. Madje ishte edhe kapiten i kësaj skuadre.

Ndërsa, përzgjedh përzgjedhësi Alain Giresse e përfshiu atë në listën e Kombëtares A, të cilën e publikoi para pak ditësh, për ndeshjet e qershorit të Ligës së Kombeve. Por, në fund Kurtulus nuk iu bashkua ekipit.

Ai tani po planifikon t’i bashkohet Kombëtares së Suedisë, e cila ia ka hapur dyert. Një rast goxha i njëjtë me Ardian Ismajlin, ish kapitenin e Kosovës U-21, i cili kishte befasuar me transferimin e tij te Kombëtarja A e Shqipërisë.

Suedezët edhe më herët e kishin ftuar Kurtulusin, por në ekipin U-21. Por, lojtari kishte refuzuar ta lë shiritin e kapitenit të “Dardanëve” të rinj për të rinjtë suedezë, shkruan Gazeta Express. Mirëpo, besohet se tani Suedia ia ka hapur dyert e Kombëtares A, e cila sikur po e joshë mbrojtësin anësor.

Suedia sot e ka zbuluar listën e futbollistëve për ndeshjet e qershorit. Pjesë e kësaj liste nuk është Kurtulus. Por, mediat skandinave po thonë se Kurtulus do të ftohet në grumbullimin tjetër të Suedisë pasi paraprakisht duhet t’i rregullohet i gjithë dokumentacioni që e kërkojnë rregulloret e FIFA-s.

“Aksioni” i suedezëve nuk është i rastësishëm. Kjo pasi Kurtulus është bërë emër i njohur dhe i dëshmuar në Suedi, ku lojtari është lindur dhe bën karrierë. Ai po luan rregullisht për Hammarbyn, ekip i cili po kryeson në elitën e futbollit suedez. /GazetaExpress/