Pochettino pasi e fitoi trofeun e parë me PSG-në: Ky është vetëm fillimi

09:28 | 14 Janar 2021

Mauricio Pochettino është zotuar se do t’i sjellë Paris Saint-Germainit shumë trofe, duke thënë se ky është vetëm fillimi pasi e fitoi trofeun e parë pas vetëm tri ndeshjeve në krye të skuadrës franceze.

Mauro Icardi dhe Neymar shënuan për t’i ndihmuar PSG-së ta mposhtë Marseillen në finalen e Superkupës së Francës të mërkurën mbrëma.

Edhe pse arriti shumë gjatë periudhave të tij si trajner i Tottenham, Southampton dhe Espanyol, Pochettino nuk e kishte fituar asnjë trofe si trajner.

Tani, ai e ka mundësinë ta fitojë Ligue 1, Kupën e Francës dhe Ligën e Kampionëve me PSG-në dhe thotë se është i etur për shumë më shumë se aq.

“Pas 10 ditëve si trajner, tri ndeshjeve të zhvilluar dhe kësaj finaleje kundër rivalit tonë më të madh, ishte shumë me rëndësi të fitonim. Është më shumë se thjesht një trofe, është nder dhe krenari. Pak nga pak, ekipi po e bën atë që po ia kërkoj. Kemi bërë shumë përgatitje për dy javë sa kam qenë këtu”, tha Pochettino.

“Ky është vetëm fillimi. Ne besojmë se me kohë dhe me punë, ne mund t’i realizojmë idetë tona dhe do të bëjmë përparim të mirë falë cilësive që i zotërojmë”, shtoi ai. /Gazeta Express/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara