Pas sezonit fantastik tek Marseille, Greenwood afër kalimit tek gjiganti italian

17:46 | 9 Qershor 2026
D.H

Sulmuesi anglez Mason Greenwood duket se është pranë një aventure të re në Serie A, pasi Roma ka intensifikuar përpjekjet për transferimin e tij nga Olympique de Marseille.

Greenwood ishte një nga lojtarët që kandidati për president të Fenerbahçe, Hakan Safi, kishte planifikuar ta transferonte nëse do të fitonte zgjedhjet në klub, shkruan Arbresh.info.

Megjithatë, pas humbjes së tij në garë, e ardhmja e sulmuesit mori një drejtim tjetër.

Sipas raportimeve, trajneri i Romës, Gian Piero Gasperini, e dëshiron me çdo kusht 23-vjeçarin dhe ka arritur të bindë edhe pronarët e klubit, familjen Friedkin, për ta realizuar këtë transferim.

Roma pritet të paraqesë ofertën e parë prej 40 milionë eurosh për Greenwoodin.

Nga ana tjetër, Marseille, që po përballet me vështirësi financiare, thuhet se kërkon rreth 55 milionë euro për ta lënë të lirë futbollistin.

Mbetet të shihet nëse palët do të arrijnë marrëveshje, por gjithçka tregon se destinacioni i ardhshëm i Greenwoodit mund të jetë Italia.

Greenwood këtë sezon shkëlqeu tek Marseille ku në 45 ndeshje të luajtura në të gjitha kompeticionet realizoi 26 gola dhe dhuroi 11 asistime./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale