‘Mos të ishte Zhegrova do të më merrte gjumi’/ Gazetari i njohur mbetet i inpresionuar nga sulmuesi kosovar

21:50 | 1 Maj 2022
Lorik Gerbeshi

Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Edon Zhegrova është kthyer në një titullar të padiskutueshëm te skuadra franceze, Lille. Ai sot në humbjen kundër Troyes luajti për 56 minuta dhe pati një paraqitje mjaft të mirë. Për lojën e tij ka mbetur i kënaqur edhe gazetari sportiv, Sebastien Ferreira.

Edon Zhegrova në takimet e fundit me Lille edhe pse nuk ka realizuar gol, ka qenë një ndër lojtarët kryesor të skuadrës dhe këtë e dëshmon edhe fakti se është duke i besuar trajneri i tij, Jocelyn Gourvennec.

Përmes një postimi në Twitter gazetari i mediumit të famshëm francez L’Equipe, Sebastien Ferreira ka shkruar se mënyra se si Edon Zhegrova e kontrollon topin me aq lehtësi është e vetmja gjë që të pengon të flesh duke shikuar këtë ndeshje.

Dhe nuk e ka pasur keq sepse pika më e fortë e 23-vjeçarit kosovar është kontrolli i topit, veti të cilën e zotëron që nga fëmijëria dhe është vlerësuar maksimalisht gjithmonë për këtë gjë.

Ai u transferua gjatë afatit kalimtar të janarit nga Basel për shumën e shtatë milionë eurove dhe ka kontratë me klubin francez deri në qershor të vitit 2026.

Që nga kalimi i tij në Francë Zhegrova është paraqitur në dhjetë ndeshje në Superligën e Francës dhe ka realizuar dy gola ndërsa ka regjistruar edhe një asistim.

 

Shpërndaje në rrjete sociale