Man United do ta sfidojë Liverpoolin për titull në Premierligë – thotë Keane

09:28 | 21 Dhjetor 2020

Roy Keane beson se Manchester Unitedi është në gjendje ta sfidojë Liverpoolin në garë për titull në Premierligë, duke thënë se djajtë e kuq janë skuadra më e mirë në ligë pas kampionit në fuqi.

Ish-kapiteni i Man United Keane ka qenë kritik i ashpër i skuadrës së Ole Gunnar Solskjaer këtë sezon, transmeton Gazeta Express.

Por pasi e shikoi Manchester Unitedin duke e shkatërruar 6:2 Leeds Unitedin të dielën, Keane e ka pranuar se ka ndryshuar mendim.

“Mendoj se ata (Man Utd) janë kritikuar shumë gjatë muajve të fundit, veçanërisht për rekordin në shtëpi. Unë e kam kritikuar goxha shumë mbrojtjen, portierin dhe kam pasur ngritur pyetje se kah po shkon ky ekip i madh, por kjo ndeshje po dëshmon se kritikët e kishin gabim”, tha Keane.

Unitedi renditet në vendin e tretë në Premierligë me 26 pikë, pesë më pak se lideri, Liverpool, por e ka edhe një ndeshje në dispozicion për ta zhvilluar.

“Mbase, mbase, ky grup lojtarësh mund ta bëjnë. Mendoj se Liverpooli është ende më i miri, por nuk ka arsye pse Unitedi nuk duhet të besojë në mundësitë e veta për t’i bërë trysni Liverpoolit”, shtoi ai.

“Liverpooli është ende më i forti, por Unitedi është më i mirë se ekipet e tjera”, theksoi Keane.

Lajmet më të lexuara