Kontradikta për anulimin e ndeshjes Lincoln-Prishtina – akuza njëra-tjetrës për testet e COVID-19

21:36 | 18 Gusht 2020

Autoritetet e Gjibraltarit anuluan ndeshjen në mes të Lincoln Red Imps dhe KF Prishtinës, pasi që një institut shëndetësorë atje tha se tetë lojtarë të FC Prishtinës rezultuan pozitivë me COVID-19

Ndeshja ishte paraparë të zhvillohet sonte në orën 18 dhe për këtë UEFA kishte publikuar edhe formacionet zyrtare të lojtarëve.

Por, derisa u tha nga skuadra kosovare “se UEFA dëshironte që ndeshja të luhet” dhe se “autoritet atje e anuluan atë”, kështu nuk thotë një shkrim që ka botuar një media atje.

Madje, sipas GBC News, media nga Gjibraltari atje, zyrtarët e UEFA-së kishin mbajtur një takim me ministrin Sportit të Gjibraltarit, Steven Linares dhe se ndeshja është anuluar me vendim te të dyja palëve.

Ndeshja, sipas kësaj media u shty pasi që rezultuan shtatë anëtarë të Prishtinës pozitivë me COVID-19 e jo tetë siç thotë skuadra prishtinase.

Tutje, media thekson se ndeshja u pezullua nga zyrtari i UEFA-s që ishte në Victoria Stadium këtë mbrëmje në koordinim të plotë me autoritetet e Gjibraltarit.

Sipas kësaj media, masat që janë ndërmarrë nga UEFA për COVID-19, është se ata kanë nënshkruar që këto shërbime për testim t’i kryen SYNLAB, e cila i bën të gjitha testimet për lojtarët në gara të UEFA-s.

Protokolli e thotë qartë që lojtaret duhet të testohen për virus tri ditë para ndeshjes dhe një herë para ndeshjes.

Por, SYNLAB nuk ka laborator në Kosovë kështu që FC Prishtina është testuar nga një kontraktor vendor të dielën, e të cilën gjë e konfirmon edhe FC Prishtina në faqen e saj ku është testuar nga IKSHP.

Tutje, mediumi nga Gjilbartari thotë se ata kanë bërë teste të reja sipas këtij protokolli dhe asnjë lojtarë i Lincoln Red Imps nuk ka rezultuar pozitivë, as para 72 orëve as pas 24 orëve para fillimit të ndeshjes, kurse nga testimi kanë dal shtatë lojtarë pozitivë me koronavirus, shkruan GazetaExpress.

FC Prishtina në anën tjetër ka akuzuar me anë të një komunikate për shtyp se ishin autoritet e Gjibraltarit që nuk lejuan zhvillimin e ndeshjes e jo UEFA.

“FC Prishtina, sipas rekomandimeve të UEFA-s ishte testuar paraprakisht tre dhe katër ditë para ndeshjes më 14 dhe 15 gusht. Të gjitha rezultatet e IKSHPK-së për 41 personat e ekspeditës të klubit kishin dal negativ me raport të plotësuar zyrtar. Sipas rekomandimeve të UEFA-s, testi i ndeshjes duhet bërë 72 orë para fillimit të takimit dhe i njëjti është bërë në ambientet e aeroportit të Gjibraltarit me të mbërri skuadra dje, e hënë 17 gusht. Pas më se 27 orëve, skuadra ka pranuar rezultat e laboratorit të licencuar nga UEFA “Synlab” me që rast kanë dal pozitiv 8 futbollistë”, ka shkruar Prishtina në një reagim të saj zyrtar në facebook me titull, “Autoritetet e Gjibraltarit nuk lejuan zhvillimin e ndeshjes”.

FC Prishtina i kishte në dispozicion 14 futbollistë (pa dy portierët rezervë) dhe plotësonte kushtin e protokollit të UEFA-s që ndeshja mund të zhvillohet me 13+ futbollistë.

Klubi i kryeqytetit kosovar kanë shkruar që autoritetet e alarmuara të Gjibraltarit “nuk kanë lejuar një gjë të tillë deri sa klubi është i informuar nga delegati i ndeshjes”.

Në anën tjetër sipas medias nga Gjilbratari vendimi është marrë në koordinim të plotë me zyrtarin e UEFAs.

Madje kjo media ka akuzuar skuadrën kosovare që nuk i ka bërë ku duhet analizat e saj për COVID-19 derisa me një kujdes të shtuar është përkujdesur që ata të largohen nga vendi i tyre.

Media ka cituar edhe rastin e Dritës e cila u eliminua para një jave nga Liga e Kampionëve pasi që dy futbollistë të saj rezultuan pozitivë me koronavirus.

Madje media shtron pyetjen: “Se si është e mundur që shtatë lojtarë të FC Prishtina u raportuan si negativ në teste për Covid të dielën, por që u testuan pozitivë dy ditë më vonë në Gjibraltar”.

Madje, media shpreh shqetësimin se kush kanë mundur të jenë kontaktet e tyre gjatë qëndrimit të tyre në ishull dhe për këtë kanë filluar një analizë të kontakteve të tyre.

Tani pritet që UEFA të merr vendim për këtë ndeshje dhe këtë do ta bëjë brenda 48 orëve të ardhshme.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara