Fjalimi motivues i Artetës pas tre humbjeve radhazi: Besoni në vete

21:15 | 27 Korrik 2022
KRG

Trajneri Mikel Arteta ia doli në sezonin e fundit të ndryshonte disi Arsenalin edhe pse në fund të kampionatit nuk mundi ta rendiste skuadrën në katër vendet e para të Premier League.

Megjithatë, me teknikun spanjoll londinezët kanë një projekt të gjatë dhe në sezonin e ri do të vijojnë t’i besojnë.

Së fundmi, është zbuluar edhe një fjalim motivues i Artetës në sezonin e kaluar, një fjalim që ndryshoi sjelljen e lojtarëve në fushë dhe bashkoi grupin.

“Skuadrat që performojnë mirë kanë vetëm një gjë të përbashkët; ato marrin rezultate. Por, e bëjnë këtë vetëm prej një arsye; e dashurojnë atë që bëjnë, këtë qëllim kanë. Pas ndeshjes me Manchester Cityn unë pata frikë, isha i pasigurt, media po më “vriste”. Por, mendova të gjithë gjërat e mira në jetë” – ka thënë Arteta.

Kam një familje, tre fëmijë dhe këtë klub. Ju kam juve djem, këtë javë e kuptova pse jam trajner. Prandaj dua t’iu falenderoj, e kthyet një moment të vështirë në një nga momentet më të bukura për mua. Besoni në veten tuaj sepse jeni shumë të mirë. Gjëja e fundit që mund të bëj është t’iu fajësoj ju, është përgjegjësia ime të përballem me situatat. Tani le të vazhdojmë përpara”, shprehet Arteta.

Shpërndaje në rrjete sociale