Drita shpreson në mrekullinë e Roterdamit

08:31 | 29 Korrik 2021

Nuk e kishte menduar askush se Drita do të ndalte Feyenoordin në një barazim pa gola 0-0 në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë.

Por barazimi në ndeshjen e parë i ka dhënë motiv të madh gjigantit kosovar për të tentuar mrekullinë në Roterdam.

Sonte me fillim nga ora 20:00 do të zhvillohet ndeshja e kthimit në stadiumin ‘De Kuip’ në Roterdam.

Sigurisht që favorit i madh është gjiganti holandez Feyenoord, por gjilanasit kanë udhëtuar me vetëbesim të madh dhe të patrembur.

Edhe trajneri Ardian Nuhiu deklaroi në konferencë për shtyp se nuk i tremb forca e kundërshtarëve të tyre, përkundrazi i motivon për të bërë më mirë.

Sipas trajneri shkupjan të Dritës, futbollistët bardhekaltër do të japin gjithçka nga vetja për të bërë njërën nga befasitë më të mëdha në Evropë në këtë fillim të garës së tretë më të rëndësishme evropiane, UEFA Conference League.

Drita bëri një lojë të madhe javën e kaluar në Prishtinë, kur me një disiplinë jashtëzakonisht të madhe arriti të befasoj gjigantin holandez duke e ndalur në barazim.

Gjilanasit tanimë besojnë në mrekulli, edhe pse vendasit shihen favorit të mëdhenj për ta fituar këtë sfidë.

Gjyqtari kryesor i kësaj ndeshje do të jetë Espen Eskas nga Norvegjia së bashku me asistentët e tij Kim Thomas Haglund dhe Oystein Ytterland. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara