Rasti i Julián Álvarez ka rikthyer kujtimet e një historie të ngjashme që përfshinte një tjetër sulmues argjentinas Sergio “Kun” Agueron.
Agüero iu bashkua Atlético Madridit në vitin 2006, kur klubi madrilen arriti të mposhte konkurrencën e disa prej skuadrave më të mëdha evropiane për të siguruar shërbimet e një prej talenteve më premtuese të futbollit argjentinas.
Në atë kohë ishte vetëm 17 vjeç dhe Atlético pagoi 28 milionë dollarë, apo rreth 23 milionë euro, te Independiente de Avellaneda për kartonin e sulmuesit.
“Për Atlético Madridin, ky është transferimi më i rëndësishëm në historinë e klubit për një futbollist 17-vjeçar. Nuk kam asnjë dyshim se Agüero do të bëhet një referencë e futbollit evropian”, kishte deklaruar Miguel Ángel Gil Marín pas transferimit të tij.
Argjentinasi kaloi pesë sezone me fanellën kuqebardhë, duke zhvilluar 234 ndeshje dhe duke realizuar 101 gola. Me aftësitë e tij në driblim, shpejtësinë dhe instinktin para portës, ai u shndërrua në një makth për mbrojtjet kundërshtare dhe formoi një dyshe të paharrueshme sulmuese me Diego Forlán.
Gjatë qëndrimit te Atlético, Agüero fitoi Ligën e Evropës dhe Superkupën e Evropës, duke ndihmuar klubin të rikthehej te trofetë ndërkombëtarë pas shumë vitesh pritjeje.
Megjithatë, fundi i aventurës së tij në Madrid nuk ishte i qetë. Pas pesë vitesh në klub, Agüero vendosi të largohej dhe dëshira e tij ishte të transferohej te Real Madridi.
Por drejtuesit e Atlético Madridit refuzuan kategorikisht një lëvizje të tillë.
“Ka vetëm dy alternativa: ose qëndron këtu, ose vjen një klub që nuk është Real Madridi dhe paguan 45 milionë euro. Florentino më garantoi se nuk do të bënte një operacion armiqësor. Lojtari nuk do të shkojë te Real Madridi sepse unë i besoj fjalës së Florentinos. Debati për Real Madridin është i mbyllur. Te Barcelona mund të shkojë, te Alcorcón gjithashtu”, deklaronte Gil Marín.
Më vonë ai shtoi edhe më prerë: “Kemi rënë dakord që ai nuk mund të shkojë te Real Madridi dhe nuk do të shkojë te Real Madridi, as nëse paguhet klauzola e lirimit.”
Duke kuptuar se interesimi i Real Madridit ishte serioz, Gil Marín vendosi të vepronte personalisht. Ai udhëtoi drejt Los Anxhelosit për t’u takuar me Khaldoon Al Mubarak, presidentin e Manchester Cityt.
“I thashë se kam një lojtar që besoj se është sulmuesi më i mirë në Evropë dhe se nuk mund të lejoja që ai të përfundonte te Real Madridi”, kujtonte Gil Marín.
Gjatë një darke informale në një restorant italian, pa avokatë dhe pa dokumente zyrtare, palët hartuan një parakontratë në një pecetë letre. Të dy e nënshkruan atë dhe, sipas rrëfimeve të mëvonshme, ajo pecetë vulosi fatin e Agüeros.
Në fund, sulmuesi argjentinas u transferua në Angli, pasi Manchester City pagoi 45 milionë euro për kartonin e tij. Atje ai shkroi historinë e klubit, duke kaluar dhjetë sezone me fanellën e Cityt dhe duke u shndërruar në një prej legjendave më të mëdha të klubit anglez.
15 vite më vonë, Real Madridi i ka bërë ofertë zyrtare prej 150 milionë euro Atletico Madridit për Julian Alvarezin, mirëpo e njëjta u refuzua.
Madje Atletico Madridi filloi me tallje në rrjetet sociale me ofertën e madrilenëve.
Për Alvarezin u interesuan edhe PSG, Arsenal e Barcelona por klubi madrilen ua ka bërë me dije të gjithëve se nëse e donë transferimin e yllit argjentinas, duhen të paguajnë klauzolën e tij e cila është 500 milionë euro.
Alvarez u transferua tek Atletico Madridi në verën e vitit 2024 për shifrën e 75 milionë eurove./Arbresh.info
Rama paralajmëron shfuqizimin e Ligjit për investimet strate...
Drenica shpallet kampione e Kosovës në futsall
Dita e 10-të e protestës në Tiranë, aktivistët dhe qytetarët...
Numërohen gati gjysma e votave, këta janë me të votuarit në ...
OVL e UÇK-së distancohet nga individët në protestën në Shqip...
15 vjet më vonë, e njëjta histori: Atlético i mbyll derën Re...