Viti i Ri kinez në Tiranë/ Veliaj: Mirënjohës që na ndihmuan për pandeminë dhe tërmetin

10:06 | 28 Janar 2022

Në ceremoninë e posaçme të organizuar me rastin e Vitit të Ri kinez, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, solli në vëmendje marrëdhëniet mbi 70-vjeçare mes dy vendeve.

“Kemi bërë disa aktivitete të përbashkëta, për të cilat i jam shumë mirënjohës Ambasadës së Kinës në Tiranë. Kemi ndërtuar kënde lojërash, kemi mbjellë pemë, kemi një ‘Pagoda’ kineze në Parkun e Liqenit, por sigurisht, ata na ndihmuan edhe gjatë tërmetit dhe pandemisë”- tha Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi se përtej marrëdhënieve politike e tregtare, raporti njerëzor është edhe më i rëndësishëm.

“Lidhjet mes njerëzve janë më të rëndësishme, ndaj më vjen mirë që në Tiranën e mbi 140 kombësive, pjesëtarët e komuniteti kinez janë bërë ‘tironsa’ të vërtetë. “Ftesa ime për të gjithë, teksa festojmë këtë vit të ri hënor ose Vitin e Ri kinez, është që secili prej nesh të gjejë një shok, mik, një bashkëpunëtor nga Kina, që nuk e njihte më përpara, dhe të nisë një miqësi sot”- shtoi kreu i Bashkisë Tiranë./tch

Lajmet më të lexuara