Situata e pandemisë, Meta: Rrezikojmë katastrofën, të rishikohet buxheti për shëndetësinë

14:53 | 19 Shkurt 2021

Presidenti Ilir Meta ka deklaruar këtë të premte se duhet rishikuar buxheti i shtetit në mbështetje të sektorit të shëndetësisë në mënyrë që të investohet në mënyrë konkrete ndaj përparësive që ka vendi përballë situatës Covid.

Kreu i shtetit u shpreh se ndarja klasore preferenciale e bërë për marrjen e vaksinave është shembull vetëm për diktaturat dhe diktatorët. Po ashtu ai u shpreh se pa një plan të qartë rrezikohet katastrofa.

“Ka disa shqetësime që jam përpjekur t’i ndaj vazhdimisht me qeverinë, që kur jemi ndeshur me pandeminë. Së pari, pa një plan të qartë dhe të sigurt të furnizimit me vaksina, vendi rrezikon një katastrofë për jetën dhe shëndetin e qytetarëve. Planet konfuze, të ndryshueshme, jo transparente për vaksinimin, njëkohësisht nuk mund të jenë alibi për të braktisur me mijëra qytetarë të infektuar dhe dhjetëra që për fat të keq po humbin jetën çdo ditë. Vetëm kriteret shkencore të gjendjes shëndetësore dhe të moshës, të vendosura ndërkombëtarisht, janë ato që duhet të vendosin përparësitë në vaksinimin e popullatës.

Kriteret e ndarjes klasore preferenciale dhe përzgjedhjes arbitrare të njerëzve për të marrë këtë shërbim jetik janë tipike për diktaturat dhe diktatorët. Nuk mund të lihen më qendrat spitalore pa pajisje shpëtuese dhe barnat e domosdoshme. Nuk mund të lihen me mijëra mjekë pa mjete diagnostike. Nuk mund të lihen qytetarët dhe të sëmurët në mëshirë të fatit që trajtohen në banesë dhe nuk rimbursohen. Është koha për të rishikuar buxhetin e shtetit në mbështetje të sektorit të shëndetësisë dhe duke investuar në mënyrë konkrete dhe jo sekrete aty u janë përparësitë”, tha Meta.

Presidenti u shpreh se qeveria ka injoruar të gjitha kërkesat dhe sugjerimet e institucionit të tij. Përkundrazi, sipas tij çdo gjë është përpjekur që të politizohet.

“Çdo gjë është përpjekur për t’u politizuar. Nuk mund të fajësohet qeveria për pandeminë, por disa standarde mund t’i kishim në nivelin e Kosovës”, tha Meta./tvklan.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara