Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama deklaroi se Shqipëria ka hyrë në një fazë të re të zhvillimit të Forcave të Armatosura, ku përveç forcimit të kapaciteteve mbrojtëse, një objektiv kryesor është edhe rilindja e industrisë ushtarake dhe zhvillimi i kapaciteteve të reja në aviacionin ushtarak.
Gjatë shënimeve të javës, Rama tha se qeveria ka ndërmarrë një sërë hapash konkretë në këtë drejtim, ndërsa veçoi marrëveshjen e arritur këtë javë me kompaninë italiane Fincantieri, e cila është zgjeruar edhe me një partneritet me shkollën industriale “Pavarësia” në Vlorë.
“Kemi hyrë në një fazë të re të Forcave të Armatosura, ku kapitulli i ri nuk është vetëm fuqizimi i mbrojtjes, por edhe rilindja e industrisë ushtarake. Janë hedhur një sërë hapash konkretë. Këtë javë, partneriteti me Fincantierin u shtri edhe në një bashkëpunim me shkollën industriale ‘Pavarësia’ të Vlorës, pasi në kantierin e ri të Pashalimanit baza e re prodhuese do të kërkojë rreth 500 të rinj, teknikë, inxhinierë dhe specialistë të tjerë. Për këtë arsye është bërë kjo marrëveshje dhe paralelisht me nisjen e punimeve në kantier do të fillojë edhe përgatitja e të rinjve, të cilët do të trajnohen si në Pashaliman, ashtu edhe në brigjet e Italisë”, tha Rama.
Rama u ndal edhe te një tjetër zhvillim që e cilësoi historik për Forcat Ajrore shqiptare, hapjen e Shkollës Kombëtare të Fluturimit, e cila do të shërbejë për trajnimin dhe certifikimin e pilotëve ushtarakë.
Sipas Ramës, shkolla do të mirëpresë jo vetëm kadetë shqiptarë, por edhe të rinj nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, si dhe nga vende të tjera aleate të NATO-s, duke e kthyer Shqipërinë në një qendër rajonale të formimit të pilotëve ushtarakë.
“Po të rinjtë kanë qenë protagonistë edhe të një momenti tjetër të rëndësishëm në rrugën e transformimit të Forcave tona të Armatosura: çeljes së dyerve të Shkollës Kombëtare të Fluturimit. Shqipëria kalon në një fazë të re me Forcat e veta Ajrore, duke u bërë një platformë trajnimi dhe certifikimi të pilotëve për Forcat e Armatosura. Kjo shkollë do të mirëpresë edhe kadetë nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe më pas nga çdo vend tjetër aleat. Është një hap tejet i rëndësishëm, i realizuar në partneritet me kompaninë ‘Elbit Systems’ nga Izraeli dhe me kompaninë tonë shtetërore ‘KAYO’, e cila është kthyer në një epiqendër të zhvillimeve transformuese në industrinë tonë të mbrojtjes”, tha ai.
Rama theksoi se investimet në industrinë e mbrojtjes, krijimi i vendeve të reja të punës në Pashaliman dhe ngritja e Shkollës Kombëtare të Fluturimit janë pjesë e strategjisë për modernizimin e Forcave të Armatosura dhe rritjen e rolit të Shqipërisë në kuadër të NATO-s.
/rtsh.al/
Mbi 123 mijë prindër kanë aplikuar për subvencionimin e teks...
Anulohen seancat e gushtit në rastin Thaçi dhe të tjerët për...
Konjufca: Do të hyjmë në negociata më të thelluara me LDK-në...
Kurti priti në takim Selën, flasin për rrugën Prizren – Teto...
Kosovarët dynden drejt bregdetit shqiptar, fluks i shtuar au...
“Vepra arti, ikona dizajni dhe asgjë më shumë”, ...