Shqipëri-Kanada marrëveshje për njohjen e pensioneve, përfitojnë rreth 60 mijë shqiptarë

14:19 | 1 Maj 2019

Rreth 60 mijë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Kanada nuk do të humbasin asnjë ditë kontribute, pavarësisht se ku kanë punuar.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj ka bërë të ditur sot nënshkrimin e marrëveshjes për “Mbrojtjen Shoqërore mes Shqipërisë dhe Kanadasë si edhe Rregullores Administrative” ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë të Shqipërisë dhe Departamentit të Punësimit dhe Zhvillimit Social të Kanadasë.

Për Kanadanë, marrëveshja u nënshkrua nga ministrja e Punëve të Jashtme, Chrystia Freeland, ndërsa për Republikën e Shqipërisë, nënshkroi ambasadori i Shqipërisë në Kanada, Ermal Muça.

Denaj sqaron se qëllimi i kësaj marrëveshje është shmangia e mbulimit të dyfishtë për të njëjtën periudhë dhe bashkimi i periudhave të sigurimit të realizuara në dy vendet, si dhe eksportin e pensioneve.

Ajo shton se shqiptarët do të kenë mundësi të marrin pensionin kanadez, edhe nëse zgjedhin të jetojnë në Shqipëri, duke mos humbur asnjë të drejtë.

“Që nga viti 2015 Shqipëria ka nënshkruar marrëveshje me 7 vende të Europës, dhe aktualisht ndodhet në proces negociatash edhe me 4 vende të tjera ku jetojnë dhe punojnë qytetarë shqiptarë”, thekson ministrja./TCH

Lajmet më të lexuara