Rikthehet tema e Mini-Shengenit, Rama: Është projekt strategjik me Brukselin

15:36 | 10 Qershor 2021

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjatë Samitin të Krerëve të Ballkanit Perëndimor ka rikthyer temën e projektit të Mini-Shengenit.

Ai në një konferencë për medie me komisionarin për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi ka thënë se Shengeni rajonal mbetet projekt strategjik së bashku me BE-në.

“Projekti i atij që e quaj Shengen rajonal, dikush tjetër e quan Mini-Shengen, është një projekt strategjik me përfitime të jashtëzakonshme, ekonomike, sociale dhe në fund politike të rajonit tonë dhe më vjen mirë që sinergjia e këtij vizioni me BE-në është e plotë. Procesi i Berlinit është zanafilla dhe jemi në kushtet kur po e zotërojmë procesin dhe shpresoj që vetë procesi i Berlinit të kalojë plotësisht në duart e KE, nën udhëheqjen e presidentes së Komisionit me dëshirën e ambicien që takimi i 5 korrikut të jetë i fundit që bëhet në formatin e tanishëm dhe ai vitit të ardhshëm të bëhet në një format nën kujdesin e komisionit me praninë e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të BE-së. Kjo është një ambicie e jona dhe dëshirë që me komisionarin e ndajmë plotësisht”, tha Rama.

Pjesëmarrës në këtë takim është edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Rama në hapje të Samitit theksoi se pjesëmarrja e udhëheqësve është një shenjë e qartë e vullnetit për të marrë autorësi të zbatimit të panit të Bashkimit Evropian për Ballkanin dhe të tregut të përbashkët rajonal.

Në Samit është duke merr pjesë edhe komisionari Olivér Várhelyi; presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq; kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq; kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Zoran Tegeltija; kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev; sekretarja e përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, Majlinda Bregu; drejtori i sekretariatit të CEFTA-së, Emir Djikiq; dhe zëvendësdrejtori i sekretariatit të përhershëm të Organizatës së Traktatit të Komunitetit të Transportit, Ljuba Siljanoska. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara