Rama publikon raportin, iu përgjigjet ankesave

09:46 | 6 Gusht 2018

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e ka filluar ditën me një  lajm nga ekonomia, duke iu përgjigjur kështu gjithë atyre që ankohen për gjendjen e vështirë me të cilën përballen e gjithashtu edhe kritikave për politikat që po ndjek qeveria e tij.

Ai ka publikuar sot raportin e agjencisë globale të vlerësimit financiar S&P, e cila sipas tij, ka konfirmuar ecurinë pozitive të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë.

“Shqipëria pritet të ketë një rritje të qëndrueshme ekonomike dhe ka pak gjasa të pësojë çbalancime fiskale ose të jashtme, gjatë tre a katër viteve të ardhshme. Performanca fiskale e vendit është përmirësuar ndjeshëm në vitet e fundit, mbёshtetur nga rritja e qëndrueshme ekonomike dhe nga një kuadёr fiskal i pёrmirёsuar, i cili tani përfshin edhe një frenim të formalizuar tё defiçitit (Ligji Organik Buxhetor). Kjo do të ndihmojë vazhdimёsinё e uljes sё risqeve që lidhen me borxhin e lartë publik”.

“S&P njeh përpjekjet e qeverisë për të përmirësuar sundimin e ligjit dhe për të luftuar ekonominë informale, për të arritur statusin e kandidatit formal për pranimin në BE. S&P parashikon që ecuria fiskale e Shqipërisë të mbetet pozitive deri në vitin 2021 dhe më e mirë se vendet me vlerësim të ngjashëm. Kjo si rezultat i pritshmërive pozitive të rritjes ekonomike dhe kontrollit të defiçitit buxhetor nga qeveria”, ka shkruar ai, transmeton Klan Kosova.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara