Rama në Këshillin e Sigurimit: Nuk shkojmë për të mbushur karrigen

08:21 | 7 Korrik 2021

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se Shqipëria në Këshill e Kombeve të Bashkuara nuk do të shkojë për t’u ulur dhe për të mbushur një karrige, por do të pasqyrojë një agjendë, që sipas tij, përbëjnë edhe disa prej sfidave të Shqipërisë moderne.

“Në Këshillin e Sigurimit vendi ynë nuk do shkojë për t’u ulur dhe për të mbushur një karrige, por do të shkojë me një agjendë prioritetesh që pasqyrojnë disa vlera, por edhe disa sfida të Shqipërisë moderne”.

Kreu i qeverisë renditi më pas të gjitha prioritetet e Shqipërisë në mandatin e saj dy vjeçar. Bëhet fjalë për çështjet e barazisë gjinore, paqes, sigurisë dhe klimës.

“Shqipëria do të fokusohet në çështjet e barazisë gjinore, si një vend që ka të drejtën ta thotë fjalën sepse çdokush ka të drejtën ta thotë fjalën, por sepse është një vend i renditur në 10 vendet e para në botë sipas OKB sa i përket barazisë gjinore në qeveri. Jo vetëm në qeveri, por edhe në nivelet e poshtme, Shqipëria ka treguar se besimin te gratë dhe vajzat i ka bashkë. Ndërkohë që jemi të bindur dhe në këtë bindje nuk jemi vetëm as në tryezën e KS dhe as botën që jetojmë, përkundrazi jemi me të tjerë që udhëheqin me forcën e shembullit se gratë dhe vajzat janë thelbësore për paqen dhe sigurinë. Natyrisht që në KS ka një axhendë, një axhendë të Kombeve të Bashkuara për gratë, paqen dhe sigurinë. Ne do të mbështesim në çdo rast pjesëmarrjen e plotë dhe të barabartë të grave në të gjitha përpjekjet paqendërtuese dhe paqeruajtëse. Kemi detyrimet që të kemi një angazhim në mbrojtje të njeriut dhe mbrojtjes së të drejtës ndërkombëtare, sepse jemi një vend që kemi një histori dhe shkojmë në KS nga një rajon që ka dhënë më shumë se njëherë mësimin se të drejtat e njeriut dhe të drejtat ndërkombëtare janë shtyllat e pashmangshme të platformës që ndërton shoqëri më të mira. Dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut pa asnjë lloj diskriminimi, promovon patjetër edhe bashkëpunimin më të fortë mes vendeve, paqen dhe një zhvillimi më të garantuar”.

“Nga ana tjetër, sigurisht që Shqipëria ka jo thjesht të drejtë si gjithë të tjerët se kushdo ka të drejtë, por ka të drejtën që të dëgjohet kur vjen puna për tolerancën e plotë fetare dhe për harmoninë mes besimeve të ndryshme, çka për ne është themel i promovimit të paqes, por edhe themel i mbështetjes sonë të pakushtëzuar në luftën kundër terrorizmit dhe kundër çdolloj fondamentalizmi. Jemi në pozicionin e duhur, për të mbrojtur me forcë idenë se çdo formë dhe për më keq akoma çdo formë e re dhe e sofistikuar e relativizimit të antisemitizmit apo çdo formë tjetër e diskriminimit të myslimanëve, janë krejt të papranueshme dhe e kërcënojnë stabilitetin e demokracive tona dhe botës ku kemi zgjedhur të jetojmë përtej fjalëve. Rrezikojnë të çojnë në eksperienca të cilat njerëzimi asesi nuk duhet t’i përsërisë. I bashkohemi të gjitha përpjekjeve për sigurinë e mjedisit dhe kundër ndryshimeve të klimës. Në mbështetje të çdo nisme të kësaj natyre”, tha Rama.

Në fund, Kryeministri u shpreh krenar që vendi ynë do të ulet në Këshillin e Sigurimit si një vend aleat i palëkundur me SHBA-në dhe BE-në. Kreu i qeverisë u shpreh se beson se Shqipëria mund të dalë nga Këshilli si një vend me më shumë respekt dhe besueshmëri.

“Dua të them se unë jam shumë krenar që vendi ynë shkon në Këshillin e Sigurimit, si një vend që ka një fizionomi shumë të qartë në arenën ndërkombëtare si një vend aleat strategjik i palëkundur me SHBA dhe me BE dhe si një vend që padiskutim ka mundësinë që në të gjithë këtë kohë kur do të mund të jetojmë nderin e jashtëzakonshëm të të qenit në atë tryezë aq të posaçme, të mund të dalim prej saj me edhe më shumë respekt, me edhe më shumë besueshmëri dhe me edhe më shumë miqësi të forcuara”, u shpreh Rama.

Të pranishëm në ceremoninë e kësaj të marte ishin dhe diplomatët e huaj në Tiranë, akademikë, ministra, ish-ministra dhe deputetë.
Këshilli i Sigurimit në OKB është ndër organet më të rëndësishme të saj, që ka për detyrë mbarëvajtjen e paqes dhe sigurisë në mes të kombeve. Për t’u ulur në karrigen e Këshillit të Sigurimit diplomacisë shqiptare i janë dashur 10 vite lobim. Shqipëria ka prezantuar edhe një sërë prioritetesh me marrjen e kësaj detyre./tvklan.al/

Lajmet më të lexuara