Rama e konfirmon: Do të marrim pjesë në Samitin e BE-së

12:33 | 22 Qershor 2022

Një ditë pasi tre liderët e vendeve të Ballkanit deklaruan se po shqyrtojnë mundësinë për të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit Evropian.

E, sot kryeministri Edi Rama ka njoftuar se Shqipëria do të marrë pjesë në këtë samit që mbahet në datat 23 dhe 24 qershor.

Në një reagim në Twitter, kreu i qeverisë njofton se aty do të kërkojnë që të dëgjohen për projektin Ballkani i Hapur.

Tutje, shkruan se dëgjova që diçka po lëviz sot në Bullgari.

“Do të marrim pjesë në mbledhjen e Këshillit të BE. Nuk do ketë shumë për të dëgjuar për ne, por do kërkojmë të dëgjohemi për idenë e një Komuniteti të ri Politik Europian që ne mbështesim, për Ballkanin e Hapur që çdo përpara frymën e Europës. Sapo dëgjova që diçka po lëviz sot në Bullgari. Është shumë herët për të qenë optimist dhe shumë pak për të ndryshuar pjesën e fjalimit të nesërm ku Bullgaria kritikohet si shtet që ka rrëmbyer dy vende të NATO-s, ndërkohë që në kufirin e Europës ka një luftë të nxehtë”, ka shkruar Kryeministri Rama në Twitter./arbresh.info/