Rama do të ndryshojë kabinetin

19:47 | 21 Dhjetor 2018

“Ishte një shuplakë për qeverinë, një grusht për opozitën dhe një shpresë për shoqërinë. Shoqëria kërkon dialog”, do të shprehej Rama më 13 dhjetor.

Protesta e studentëve ishte shuplaka e fundit, që e shkundi nga përhumbja që e kishte kapur qeverinë, që përveç mbylljes së basteve që ishte një moratorium i rëndësishëm, qeveria e pas zgjedhjeve të 2017-s nuk ka prodhuar asnjë reformë serioze dhe e vetmja gjë që i ka mbetur është të reformojë veten.

Nga kjo shuplakë e të rinjve, revolta e të cilëve në fakt është kundër varfërisë që s’i lëshon shqiptarët, Rama tregoi se ishte gati edhe për ndryshime të thella.

Protesta 17-ditore e studentëve në fakt ishte e fundit e një serie ngjarjesh dhe skandalesh që përfshinë qeverinë përgjatë më shumë se një viti. Në fakt, qeveria ka bërë disa ndryshime të pjesshme.

Dosja “Habilaj” solli largimin e Saimir Tahirit nga qeveria. Më pas erdhi “Babalja”, e cila edhe pse sipas Prokurorisë ishte një sajesë në thelb për Fatmir Xhafajn, anëtarin e qeverisë së Ramës, pas saj qëndronte pyetja për të vëllanë e dënuar për trafik droge.

Largimi i Xhafajt, megjithatë, nuk mjaftoi të freskonte qeverinë, e cila në mesin e mandatit të tyre nuk e ka freskinë për t’i bërë ballë shumë sfidave që ka përpara. Atëherë kur mendohej se do të binte qetësia, shpërtheu skandali i tenderave për “Unazën e re”.

Por, vetëm protesta e studentëve e bëri kryeministrin të kuptojë se riparimet e vogla nuk mjaftojnë.

Ministritë janë bërë jofunksionale dhe nuk marrin dot përgjegjësi, siç e tregoi rasti i fundit me ministren e Arsimit. Gati gjysma e ministrave kanë mbi 5 vite pa lëvizur, çka e ka kthyer këtë në qeverine e mandateve të gjata dhe punëve të shkurtra. Qeveria duket e pasur në njerëz dhe e varfër në ide.

Socialistët mësohet se kanë planifikuar mbledhjen e Kryesisë së tyre më 24 dhjetor, e cila do të jetë një analizë e punës së qeverisë para mbledhjes së Asamblesë. Rama ka dhënë sinjale se do të bëjë ndryshime, ndërsa duket se ka ardhur koha që ato të jenë shumë të thella, sepse perceptimi popullor është se qeveria nuk ka funksionuar, e se në këtë mandat të dytë ka pasur shumë fjalime e projekte dhe pak rezultate.

Ndryshimi i ndonjë ministri për të kënaqur egon e protestuesve nuk do të jetë zgjidhje, as për studentët, as për vendin dhe as për vet mazhorancën e Ramës. Studentët ngelës po e ndihmojnë Ramën të heqë ministrat ngelës./tch/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara