Përmirësohet situata nga reshjet në Shkodër dhe Lezhë

09:37 | 24 Nëntor 2022

Pas reshjeve intensive të ditëve të fundit, uji ka filluar tërheqjen nga zonat e përmbytura në Qarkun Shkodër.

Në një raport të bërë publik së fundmi, Bashkia e Shkodrës njofton se sipërfaqe totale e përmbytur në këtë qark është 1130 hektarë – nga 1365 hektarë që ishte ditën e djeshme në orën 16:00.

 Në Njësinë Administrative Ana e Malit, situata paraqitet:

  1. Sipërfaqja e tokës bujqësore e përmbytur vlerësohet në 700 Ha (nga 850 Ha që ishte dje), kryesisht në fshatrat Obot, Muriqan, Oblikë.
  2. Rruga e Obotit ka prezencë uji 25 cm dhe është e kalueshme vetëm me mjetet e ushtrisë.
  3. Ujësjellësi Oblika 1 dhe 2, si pasojë e përmbytjeve është jashtë funksionit.

 Njësia Administrative Dajç:

1.Sipërfaqja e tokës bujqësore e përmbytur vlerësohet në 100 Ha (nga 110 Ha që ishte dje), kryesisht në fshatrat Mushan, Shirq, Pentar. Tendenca e nivelit të ujit në këtë njësi administrative është në ulje.

Njësia Administrative Velipojë:

Sipërfaqja e tokës bujqësore e përmbytur vlerësohet në 100 Ha (nga 125 Ha që ishte me datë 23 Nëntor ora 16:00), kryesisht fshatrat Baks, Luarz. Ças.

Njësia Administrative Guri i Zi:

Sipërfaqja e tokës bujqësore e përmbytur vlerësohet në 30 Ha (nga 80 Ha që ishte me date 23.11.2022 ora 16:00), kryesisht në fshatrat Kuç dhe Rrenc. Vërehet një gërryerje e tokave bujqësore në bregun e lumit Drin në vendin e quajtur Mali i Vukatanit, në një gjatësi prej 800 ml.

Njësia Administrative Bërdicë:

Sipërfaqja e tokës bujqësore e përmbytur vlerësohet në 200 Ha, konkretisht në fshtrat Trush.

Ndërkohë 7 familje të evakuara me 24 persona aktualisht marrin shërbim në konvikte.

Hidrometri i Liqenit të Shkodrës në orën 08.00,shënon kuotën 8.09 m, (nga 8.0 m që ishte dje në orën 16.00) (Kuota max 8.70 m).

Hidrometri i lumit Drin në orën 08.00,shënon kuotën 6.05 m, (nga 5.70 m që ishte dje në orën 16.00) (Kuota max 7.50 m).

Edhe në Qarkun e Lezhës reshjet e shiut janë ndëprerë dhe uji ka filluar të tërhiqet duke çuar drejt normalizimit të situatës.

Ura që lidh fshatin Gjadër me Zojs-Gramsh është e kalueshme dhe për mjetet e vogla. Rruga që lidh fshatin Blinisht-Superstradë (Lezhë-Shkodër) ka rënie të nivelit të ujit por vazhdon të jetë e pakalueshme si rezultat i prezencës së ujit në trupin e rrugës.

Rruga që lidh fshatin Blinisht-Baqel është e kalueshme plotësisht. Ka prezencë të nivelit në trupin e rrugës në fshatin Piraj, e cila është bërë e pakalueshme dhe nga mjetet e vogla.

Në fshatin Kakarriq vazhdon të ketë prezencë uji në 4 banesa, edhe pse niveli po vazhdon të ulet.

Në zonën e Zadrimës ka 250 hektarë tokë bujqësore të përmbytura kurse hidrovori Balldre në kuotën

-0.8 metra nga 1.5 metra kuota kritike, ka rreth 800 hektarë tokë bujqësore të përmbytura.

Në fshatin Torovicë janë 500 hektarë sipërfaqe toke të përmbytura. Edhe në njësitë administrative Dajç dhe Blinisht janë 800 hektarë tokë të përmbytura.

Rruga që lidh fshatin Torovicë me fshatin Malecaj është e pakalueshme për mjetet e vogla./tvklan.al