Operacion antidrogë në Durrës

12:09 | 12 Maj 2021

Katër persona kanë rënë në prangat e Policisë së Durrësit për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, ndërsa janë sekuestruar 900 gramë kokainë, një taksi dhe 6 aparate celularë.

Në pranga kanë rënë; E. Sh., 30 vjeç, V. M, 29 vjeç (i dënuar më parë për korrupsion aktiv), A. Gj., 55 vjeç, të tre banues në Durrës dhe A. B., 52 vjeç, banues në Tiranë.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, pas një informacioni të marrë në rrugë operative se shtetasi A. Gj. kishte ardhur në zonën e Plazhit, me mjetin e tij taksi, së bashku me shtetasin A. B. (pasagjer), për të blerë një sasi lënde narkotike te dy shtetas të tjerë, kanë organizuar punën për kapjen e tyre.

Në momentin e konstatimit dhe të ndërhyrjes së Policisë, shtetasit E. Sh. dhe V. M., të cilët posedonin lëndën narkotike, ndodheshin në një lokal në zonën e plazhit dhe sapo kanë vënë re prezencën e Policisë kanë kundërshtuar me dhunë dhe kanë tentuar të largohen, por janë neutralizuar dhe arrestuar nga Policia gjatë ndjekjes.

Gjatë tentativës për t’u larguar, këta shtetas kanë hedhur një pako, e cila më pas u konstatua si lëndë narkotike e llojit kokainë, me peshë rreth 900 gramë.

Gjatë operacionit “Taksisti” u bë kapja dhe arrestimi edhe i dy shtetasve të tjerë A. Gj. dhe A. B., të cilët do blinin lëndën narkotike.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara