Meta u përgjigjet akuzave për dekretin

14:59 | 28 Korrik 2018

Një ditë pas kthimit mbrapsht të ligjit për Teatrin dhe reagimeve që shkaktoi mosdekretimi nga kreu i shtetit, presidenti Ilir Meta i quan sipërfaqësore, emocionale e të pathelluara reagimet politike pas këtij vendimi.

Në një deklaratë të zëdhënësit të këtij institucioni thuhet se argumentet e Presidentit kanë qenë tërësisht ligjore dhe për më tepër reflektim mbi praktikën që qeveria dhe kuvendi paraqitën në zyrën e kreut të shtetit lidhur me këtë projekt.

“Dekreti i Presidentit të Republikës i mbështet argumentet vetëm mbi dokumentacionin zyrtar bashkëshoqërues të ardhur nga Kuvendi i Shqipërisë. Presidenti fton të gjithë të shqetësuarit për ndërtimin e një teatri të ri të kenë durim e të lexojnë me objektivitet dekretin, të gjithë arsyetimin, argumentat dhe konstatimet ligjore të cilat bazohen vetëm në Kushtetutën e Shqipërisë, konventat e marrëveshjet ndërkombëtare ku vendi ynë është palë, detyrimet që lindin prej tyre dhe legjislacionin tonë në fuqi.”

Akuzat më të ashpra në adresë të Presidentit i bëri kryebashkiaku Veliaj, i cili tha se kreu i shtetit u bë palë me partitë dhe familjet politike në vend. Por në  kundërpërgjigje të këtyre pretendimeve Presidenca sqaroi se projekti i qeverisë për shembjen e teatrit ekzistues dhe zbatimin e idesë së kompanisë Fusha është kundër interesit publik.

“Presidenti i Republikës është i bindur se, nëse të gjithë do të udhëhiqen vetëm nga interesi kombëtar dhe publik, jo vetëm garantohet ruajtja e kompleksit teatror e restaurimi i tij si pjesë e trashëgimisë kombëtare, por edhe garantohet ndërtim i teatrit të ri në mënyrën më transparente e më të përgjegjshme, duke respektuar plotësisht legjislacionin aktual si dhe duke shmangur çdo konflikt artificial.”

Në arsyetimin e vendimit për mosdekretim kreu i shtetit thotë se projekti është zgjedhur pa garë, cenon hapur autonominë vendore, trashëgiminë kulturore dhe shkel disa nene të Kushtetutës, e konventave ndërkombëtare./Tv Klan/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara