Konferenca Ipeshkvore reagon për protestat kundër projektit në Zvërnec

11:53 | 9 Qershor 2026
E H

Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë ka reaguar lidhur me protestat që po zhvillohen në disa qytete të vendit kundër projektit në Zvërnec, duke theksuar se çdo zhvillim duhet të ketë në qendër mbrojtjen e mjedisit dhe respektimin e komuniteteve lokale.

Në reagimin e saj, Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë vlerëson se protestat kanë nxjerrë në pah shqetësime të qytetarëve për projekte që prekin zona natyrore të mbrojtura dhe çështje pronësie, duke kërkuar zhvillim të qëndrueshëm dhe transparent.

Kisha thekson se, sipas doktrinës së saj shoqërore dhe mësimeve të Papa Françeskut në enciklikën Laudato si’, proceset e zhvillimit duhet të jenë transparente dhe të përfshijnë komunitetin, duke shmangur vendimmarrjet e mbyllura dhe korrupsionin që mund të dëmtojë mjedisin dhe interesin publik.

Në deklaratë thuhet se zhvillimi duhet të jetë “integral”, duke marrë parasysh jo vetëm infrastrukturën, por edhe nevojat dhe të drejtat e njerëzve.

KISH vlerëson gjithashtu se protestat e ditëve të fundit tregojnë pakënaqësi të gjerë shoqërore, veçanërisht tek të rinjtë, dhe nënvizon se zëri i qytetarëve duhet të dëgjohet nga politika.

“Kisha nuk ka për detyrë të gjejë zgjidhje, por të orientojë ndërgjegjet”, thuhet në reagim, duke shtuar se zgjidhjet duhet të vijnë nga politika përmes dialogut demokratik.

Në fund, Konferenca Ipeshkvore i bën thirrje institucioneve dhe forcave politike të ulen në dialog dhe të adresojnë shqetësimet e qytetarëve, veçanërisht të të rinjve, duke theksuar se emigrimi dhe shpopullimi mbeten sfida serioze për vendin./Arbresh.info