Berisha: Shkelje flagrante me votën e diasporës

15:28 | 29 Maj 2025
E.G

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha në një deklaratë për mediet denoncoi, sipas tij, “farsën elektorale” të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, teksa u ndal konkretisht te vota e diasporës.

Sipas Berishës, me votën e diasporës janë bërë shkelje flagrante. Kryetari i PD-së tha se është shkelur kontrata me kompaninë postare DHL, ndërsa shtoi se “kurrë ne nuk do të ftonim diasporën të votonin me një postë që kalon nga Posta Shqiptare”.

“Tani, cila pikë e kontratës është shkelur? Është shkelur pika kryesore e kontratës: nuk mund të kishte subkontraktor. Dhe subkontraktimi u shkel pikërisht për t’u nënkontratuar kompanitë që punuan ngushtë me PS-në, përfshirë Postën Shqiptare që shtriu duart në këtë proces”, tha Berisha.

Sipas tij, shkeljet janë flagrante, ndërsa shtoi se në procesin e manipulimeve me votën e diasporës “kanë marrë pjesë dhe ish-zyrtarë dhe zyrtarë të ambasadave”.

Berisha tha se “vota e diasporës, ishte vota që presupozohej të ishte më e lira, vota e lirë e qytetarëve. Dhe shtetërimi i saj, tregoi vdekjen e saj pa hyrë në kuti. Mendoj se farsa elektorale ka elementë të tjerë kapitalë”.

Berisha nënvizoi se “që në rast se flasim për farsë elektorale, strumbullari i farsës elektorale është shteti elektoral. Pra, farsa ka si gjenerator shtetin elektoral”.

Të ngjashme