Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u zotua sot nga Kuçova se nëse vjen në pushtet, qeveria e drejtuar prej tij do të vendosë prioritet përmirësimin e mirëqenies ekonomike të qytetarëve shqiptarë.
Ai premtoi se brenda 100 ditëve të para të qeverisjes do të zbatohet minimumi jetik prej 200 euro për çdo pensionist, person në ndihmë ekonomike dhe student me bursë.
Po ashtu, do të vendoset rroga minimale prej 500 euro dhe do të synohet rroga mesatare 1200 euro.
“Ne nuk bëjmë asgjë tjetër veçse u kthejmë qytetarëve paratë e tyre. Janë taksat e tyre, djersa dhe mundi i tyre. Çdo qeveri përgjegjëse ka detyrë t’i shërbejë qytetarëve me fondet që mbledh prej tyre,” tha Berisha.
Ai rikujtoi se gjatë qeverisjes së mëparshme (2005–2013) u dyfishuan rrogat dhe pensionet, duke theksuar se në vitin 2013 pensionistët shqiptarë kishin përfitime më të larta se vendet e tjera të Ballkanit.
Në kontrast me këtë, sipas tij, në 12 vitet e fundit, pensionet dhe rrogat në Shqipëri kanë mbetur mbrapa, ndërsa vendet si Mali i Zi, Kosova dhe Rumania kanë përjetuar rritje të ndjeshme.
Berisha kritikoi qeverinë aktuale për mungesën e investimeve në shtresat në nevojë dhe për fondet e pamjaftueshme të ndara për pensionistët.
“Kjo qeveri vetëm këtë vit, vuri përpara taksat tuaja, 8 miliardë euro dhe la gjithsej 16 milionë euro për pensionistët. Kur ne i paraqitëm ligjin për minimumin jetik 200 euro, jo tha, kjo na çon në greminë. Po në çfarë gremine na çon ajo? A ka gjë më të pashpirt se të lësh për 870 mijë qytetarë të tu, 16 milionë euro? Merr fund kjo. Kanë vjedhur miliarda nga pensionet tuaja dhe pastaj thonë se, po ti rrisim biem në greminë. Gremina i pret për atë që kanë bërë”, u shpreh Berisha.
Ai u shpreh se me një qasje të drejtë dhe transparente ndaj buxhetit, është plotësisht e mundur që qytetarët shqiptarë të kenë paga dhe pensione më të larta se bashkëmoshatarët e tyre në rajon.
“Ky është zotimi ynë: çdo qytetar, çdo pensionist në Shqipëri të ketë një nivel jetese të barabartë, madje më të lartë, se ai në vendet e tjera të Ballkanit,” përfundoi ai./atsh.al
Arian Tahiri pjesë e listës së kandidatëve për deputet nga P...
Haradinaj publikon listën me 110 kandidatët për deputet në z...
Spektakël në Gjakovë: Hellems, hero i kuqezinjve ndaj kampio...
Abdixhiku e publikon listën e LDK-së me emrat e 110 kandidat...
Këta janë 10 kandidatët e parë për deputetë në listën e PDK-...
Petritsch, Kosovës: Lëvizni nga së qenit problem për Evropën...