34-vjeçari i zhdukur në Tiranë, policia dyshon për vrasje

15:07 | 9 Qershor 2026
E H

Pas denoncimit të familjarëve më 4 qershor, policia ka nisur hetimet për zhdukjen e një 34-vjeçari, duke analizuar pamjet e kamerave të sigurisë që e kanë fiksuar atë duke lëvizur nga Sheshi Wilson drejt Bulevardit “Zhan D’Ark”, ku dyshohet se është parë për herë të fundit pranë një lokali.

Sipas policisë, provat e siguruara dhe pamjet e kamerave shtojnë dyshimet se 34-vjeçari mund të jetë vrarë, ndërsa dyshohet se një shok i tij ka zhdukur trupin duke e transportuar me automjet. Për këtë rast është arrestuar edhe një person tjetër, i identifikuar si Enea Zyferi, si i dyshuar për bashkëpunim.

Ndërkohë, autori i dyshuar kryesor është shpallur në kërkim, ndërsa policia po vijon kontrollet në zonat përreth Tiranës për gjetjen e trupit të viktimës.

Hetimet po zhvillohen në disa pista, përfshirë edhe atë të aktivitetit të mundshëm në fushën e kriptomonedhave, ndërsa dyshohet se janë ndërmarrë veprime për fshehjen e gjurmëve pas krimit./tch