Konsultohuni me ekspertë për ushqimin e fëmijëve tuaj, “fast food” ndikon në zhvillimin psikik

08:05 | 7 Mars 2020 | Ardita Zeka

Mbipesha te fëmijët, sipas mjekëve pediatër, vjen si pasojë e kequshqyerjes apo marrjes së kalorive të tepërta përmes ushqimit të shpejtë, e si pasojë kjo shkakton edhe sëmundje të ndryshme.

Sami Gashi pediatër në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), tregon për arbresh.info se, mbipesha tek fëmijët viteve të fundit është në rritje.

Ai tregon se shkaku kryesor i mbipeshës te fëmijët është mungesa e qumështit natyral, dhe fëmija detyrohet të ushqehet në mënyrë artificiale.

“Mbipesha në vitet e fundit ka një rritje të madhe. Ne nganjëherë kemi aq shumë fëmijë mbipeshë sa habitemi kur i shohim është 1/3 mbipeshë krahasim me peshën normale. Sëmundjet mund te shfaqen nga mbipesha, por varet nga mosha e fëmijës nga zhvillimit i fëmijës a ka qenë që nga fillimi i ushqyer me gji apo me ushqim artificial. Nëse ka qenë me ushqim artificial që nga fillimi sigurisht ushqimi nuk ka qenë adekuat për metabolizmin e një fëmije, por në qoftes fëmija ka qenë në ushqim natyral por me kalimin e kohës shkaku i mungesës së qumështit natyral atëherë detyrohet me u ushqye në një mënyrë artificiale”, thotë ai.

Gashi flet edhe për pasojat për shëndetin që ka mbipesha duke potencuar disa nga sëmundjet që sjell, si ato nga sistemi muskulor i boshtit kurrizor, sëmundjet e zemrës, veshakëve, zhvillimi psikik, hipertensioni.

“Shpesh herë shkaku i asaj që prindërit në disa raste punojnë, ata fëmijë janë të detyruar me u ushqye me diçka që ndoshta nuk është e përshtatshme për moshën dhe organizimin e fëmijës. Dhe nëse kushtet e jetës të zhvillimit të fëmijës nuk janë adekuate, atëherë sigurisht do të pëson çrregullime të zhvillimit të organizmit, dhe organizmi fillon me fitu peshë më të madhe dhe kemi pasoja të ndryshme duke filluar nga sistemi muskulor i boshtit kurrizor dhe gjymtyrëve, mandej nga sëmundjet e zemrës, sëmundjet e veshakëve, zhvillimin mendor psikik, hipertensioni i hershëm”, ka thënë ai.

Ndërsa sociologu Labinot Kunushevci, mendon se, përgjegjësia kryesore për mbipeshën e fëmijëve është indiferenca familjare e prindërve.

Ai thotë se prindërit asnjëherë nuk konsultohen me nutricionistë apo pediatër lidhur me mënyrën adekuate të të ushqyerit të fëmijëve.

“Ata nuk i dinë kriteret e ushqimit, mënyrën se si është prodhuar një produkt. Në cilin vend është prodhuar? Çfarë përbërje dhe elemente ka produkti? Si ndikon në organizmin dhe shëndetin e fëmijëve të tyre? A krijon ndonjë problem, efekt, sëmundje apo varësi? A ka lëndë dhe vlera ushqyese? a i plotëson nevojat e fëmijës? a ndikon në mbipeshë?”

Kunushevci mendon se ndikon edhe mungesa e edukimit shëndetësor dhe kulturor në shkolla.

“Në mungesë të kulturës së të ushqyerit dhe kulturës së shëndetit u intereson vetëm një gjë: shija. Pra, që produkti të kënaqë dhe provokojë hormonin e dopaminës i cili krijon varësi. Të paktë janë ata prindër që funksionojnë me standarde kulturore në procesin e të ushqyerit të fëmijëve për shkak të vetëdijes së ultë dhe injorancës së lartë. Sigurisht këtu ndikon edhe mungesa e edukimit shëndetësor dhe kulturor në shkolla, presioni medial dhe teknologjik që imponon shije të caktuara”, ka thënë ai./A.Zeka/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara