Zaev merr shembull Ramën

19:00 | 13 Tetor 2021

Kryeministri Zoran Zaev alarmoi për krizën energjetike në Maqedoni të Veriut, por vendi nuk ka një plan se çfarë masash intervenuese do të merren. Në lojë janë disa opsione për t’i ndihmuar kompanitë dhe qytetarët. Kryeministri Zoran Zaev siguroi se mjete ka dhe nëse është e nevojshme do të bëhet ribalanci i buxhetit.

“Po, do të ketë krizë. Miku dhe kolegu im nga Shqipëria Edi Rama alarmoi, po alarmoj edhe unë, krizë energjetike do të ketë, çmimet janë të larta, por t’i presim javët dhe muajt në vijim për t’i parë zhvillimet, kurse shteti është këtu për të ndihmuar”.

Krahas paralajmërimeve për krizë energjetike, zyrtarët sigurojnë se deri në vitin e ri, çmimi i rrymës nuk do të pësojë ndryshime.

“Në momentin kur furnizimi me gaz natyror nga Rusia do të rritet, lart-poshtë do të stabilizohet çmimi i gazit natyror, me këtë edhe çmimi i rrymës elektrike. Kjo nuk është problem vetëm në vendin tonë, por në gjithë Evropën. Është e sigurtë se te ne nuk do të ketë asnjë ndryshim të çmimit të rrymës elektrike deri në Vitin e Ri.”

Në Maqedoninë e Veriut, harxhimet jetësore në Shtator të këtij viti, krahasuar me vitin e kaluar, shënojnë rritje për 3.7%, kurse çmimet për 5.6%, thonë të dhënat nga Enti Shtetëror për Statistika, që paraqet rritjen më të madhe gjatë këtij viti. Ekspertët thonë se duhet të ndërhyjë qeveria që konsumatorët të mos preken nga destabilizimi i çmimeve./tvklan

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara