Shkupi përgatitet për mbledhjen e përbashkët me Sofjen

15:19 | 21 Janar 2022

Qeveria shkon në Sofje me marrëveshje, propozime dhe memorandume konkrete, thotë ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi.

Ai është emëruar anëtar i grupit të ri të punës për ekonomi, tregti dhe inovacion mes dy vendeve. Qeveria ka emëruar anëtarë në katër grupet e përbashkëta punuese të paralajmëruara, përveç grupit të historisë. Më së shumti reagime ka shkaktuar emri i zëvendëskryeministrit të parë Artan Grubi, i cili u bë bashkëkryesues i grupit të punës për kulturë, shkencë dhe arsim.

Ish-ambasadori në Sofje, Marjan Gjorçev, mendon se në vend të politikanëve është dashur t’u lihet hapësirë artistëve, inxhinierëve dhe shkencëtarëve

“Këto grupe pune janë propozim i palës bullgare dhe manovër e aftë politike, për t’i treguar Bashkimit Evropian se janë konstruktivë, se vazhdon dialogu. Nga ana jonë, ne po kontribuojmë për këtë duke propozuar njerëz që janë ekskluzivisht nga politika për ta vështirësuar procesin e negociatave, sepse fitimi i besimit dhe respektit të ndërsjellë nuk ndërtohet vetëm në dimensionin politik, por edhe në dialog të gjerë shoqëror”, deklaroi Marjan Gjorçev, ish ambasador në Bullgari.

Gjorçev vlerëson se qëndrimi i të dyja palëve është asimetrik, në dëm të Maqedonisë dhe shton se e vetmja mënyrë për të arritur rezultat pozitiv nga negociatat është të kërkohet reciprocitet, duke u kujdesur për pakicën maqedonase.

“Por, të jeni të sigurt se në momentet para heqjes së bllokadës bullgare, sado të suksesshme të jenë bisedimet në fusha të tjera, Bullgaria do të insistojë në pikat ku në një farë mënyre kërkohet mohimi i vazhdimësisë historike të kombit dhe gjuhës maqedonase. Pra, kjo është e patejkalueshme”, tha Marjan Gjorçev, ish ambasador në Bullgari.

Ndërkaq, dy presidentët Stevo Pendarovski dhe Rumen Radev kanë biseduar me telefon. Pendarovski e uroi kolegun e tij për mandatin e dytë dhe – siç njoftojnë nga Villa Vodno – është paralajmëruar intensifikimi i dialogut në nivelin më të lartë, me vizitën e fundit të Pendarovskit në Sofje. /Alsat.mk/

Lajmet më të lexuara