Presidenti grek: Kosova dhe Shqipëria po sillen si “aventurierë ndërkombëtarë”

10:15 | 16 Tetor 2017

Shteti grek vazhdon presionin ndaj Shqipërisë. Presidenti grek Prokopis Pavlopulos u është rikthyer deklaratave “kërcënuese” ndaj Shqipërisë, madje dje ka zgjeruar hartën, duke e përfshirë edhe Kosovën.

Ai ka akuzuar Tiranën dhe Prishtinën se po sillen si “aventurierë ndërkombëtarë”, dhe ka shtuar se “Shqipëria dëmton vetë procesin e anëtarësimit në BE”.

Reagimi i numrit një të shtetit grek vjen tre ditë pas votimit nga Parlamenti shqiptar të ligjit për pakicat kombëtare.

Deklarata

Duke folur nga Korfuzi, në përurimin e muzeumit të politikanit të njohur grek të shekullit të XVIII, Ioannis Kapodistrias, presidenti grek Prokopis Pavlopoulos i ka çuar “selam” Tiranës në lidhje me integrimin europian, duke iu referuar sërish çështjes së pronave të minoritetit grek në Himarë, ligjit për pakicat kombëtare të votuar në Kuvend pak ditë më parë si dhe bashkëpunimit të Shqipërisë me Kosovën, pas vizitës së presidentit Ilir Meta në Prishtinë. Në deklaratën e tij, presidenti i Greqisë, Prokopis Pavlopoulos ka paralajmëruar Shqipërinë duke thënë që të ketë kujdes me sjelljet që bën pasi mund t’i kushtojnë integrimin në BE. Kreu i shtetit fqinj nënvizoi se sjelljet brutale ndaj të drejtave të njeriut nuk mund të tolerohen. “Ioannis Kapodistrias jep shembullin e një lideri të madh. Një udhëheqës i madh jo vetëm për Greqinë, por për të gjithë Evropën.

Kjo duhet të frymëzojë grekët, por duhet të frymëzojë edhe ata që kanë aspirata për t’u bashkuar me BE-në. Këtë e them edhe për fqinjët tanë, Shqipërinë, vendi me të cilin duam të kemi gjithmonë marrëdhënie të mira. Por sjelljet aventureske ndërkombëtare, si ato që shikojmë së fundmi mes Tiranës dhe Prishtinës, janë sjellje brutale që shkelin të drejtat e njeriut dhe në rastin e minoriteteve, të drejtën e pronës. Për fat të keq, Shqipëria po dëmton procesin e anëtarësimit dhe kjo është përgjegjësia jonë. Megjithatë ne nuk do të rrimë indiferentë karshi sjelljeve të tilla. Ne i detyrohemi Greqisë dhe Evropës”, u shpreh Presidenti i Greqisë Prokopis Pavlopoulos. Kjo është hera e tretë brenda disa javëve, që presidenti grek thekson në mesazhet e tij ndaj Tiranës faktin se Shqipëria me veprimet e saj po minon rrugën e saj evropiane. Përveç presidentit grek Prokopis Pavlopulos dhe ministri i Jashtëm ka kërcënuar Shqipërinë për rrugën e integrimit në BE, pasi sipas tij nuk po respektohet minoriteti. Pas votimit të ligjit për minoritetin në Kuvend, Ministria e Jashtme Greke deklaron se ligji përbën një hap pas për minoritetin më të madh. “Në vend që të garantojë të drejtat e minoriteteve në vend në bazë të modeleve europiane, ligji që votoi parlamenti shqiptar për mbrojtjen e minoriteteve, vazhdon arbitraritetin e regjimit të Hoxhës. Është një hap përpara për minoritetet ekzistente dhe inekzistente dhe një hap mbrapa për minoritetin më të madh në Shqipëri”, thuhet në deklaratën e ministrisë së Jashtme greke. Ministri i Jashtëm grek pati deklaruar për planin urbanistik të Himarës, që parashikon prishjen e disa pronave për të ndërtuar sheshin e qytetit, është vetë presidenti grek Prokopis Pavlopoulos ai që ka reaguar. Por kryebashkiaku Jorgo Goro thotë se Athina zyrtare është keqinformuar me qëllim dhe kjo është reflektuar edhe nga reagimi i ambasadores greke në Tiranë. “Athina zyrtare është keqinformuar dhe unë e kuptoj që nga qëndrimi që ka mbajtur ambasadorja e Greqisë në Tiranë.

Po bëjmë zhvillimin e zonës dhe objektet që nuk përshtaten, apo që kanë dalë jashtë vijës, projektuesi ka kërkuar që të prishen”, thotë ai. Plani, thotë kryebashkiaku i Himarës nuk prek vetëm shtetas grekë. Ai këmbëngul se kjo po shfrytëzohet politikisht. “Duhet të na thonë se cilët janë grekë në 23 shpronësime që janë. Ka qytetarë që kanë marrë pasaportën greke, por ka nga ata që kanë pasaportë gjermane dhe amerikane. Ka edhe qytetarë që kanë pasaportë shqiptare. Nuk duhet t’i fusim të gjithë për çështje politike dhe të themi që janë të gjithë grekë. Të na thonë sa janë”, thotë ai. Ndërkohë një muaj më parë, gjatë një darke të shtruar për vizitën e presidentit francez Emmanuel Macron, Presidenti grek deklaronte po ashtu se Shqipëria po pengon ecjen e saj drejt BE-së: Shqipëria fqinje duhet të gjejë vendin e saj në BE, por me respekt të plotë tek të drejtat europiane. Dhe një prej shtyllave të të drejtave europiane janë të drejtat e njeriut. Kur shikojmë shkelje të tilla të të drejtave themelore, siç është përshembull e drejta e pronësisë, si është e mundur që Greqia të favorizojë një perspektivë të tillë europiane, të një shteti që shkel të drejtat europiane?!”. Miratimi i planit urbanistik të Himarës pak ditë më parë, ka shkaktuar protesta të shumta të pakicës kombëtare greke të cilët nuk janë dakord me prishjen e pronave të tyre dhe dëmshpërblimin e caktuar nga qeveria. Gjatë protestave, kanë qenë të pranishëm dhe diplomatë dhe zyrtarë të tjerë grekë. Kryetari i OMONIA-s Himarën Alfred Bejleri kërcënoi se nëse pronat nuk do t’i kthehen pronarëve himariotë, atëherë Greqia dhe Qipro do të votojnë kundër hapjes së bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Kërkesat e minoritetit grek

Përfaqësuesit e pakicave kombëtare kërkuan që në çertifikatën e lindjes të parashikohet një rubrikë për kombësinë e cila mund të vendoset pas regjistrimit të radhës së popullsisë, mbështetur mbi parimin e vetëdeklarimit. Po ashtu pakicat kanë shprehur pakënaqësi me nenin 12 të projektligjit që flet për gjuhën, ku thotë se personat që i përkasin vendbanimeve ku ata banojnë tradicionalisht u sigurohet mundësua për të mësuar ose për të marrë mësime në gjuhën e pakicës në përputhje me legjislacionin përkatës në fushën e arsimit.

Ndërkohë ata kanë propozuar që të riformulohet ky nen në kontekst të kushtit “ku ata jetojnë në mënyrë tradicionale”, duke pasur parasysh se lëvizjes demokrafike mund të krijojnë zona të tjera të banuara prej pakicave kombëtare. Po ashtu ata kërkuan që të ndryshohet neni 14, i cili flet për përdorimet dygjuhëshe në lokalitetet ku pakicat kombëtare janë të pranishme. Por ministri Dimtir Bushati në komision pati thënë se “me këtë ligj shuhet pozita e privilegjuar e secilës prej pakicave në raport me tjetrën dhe fshihet dallimi që ka ekzistuar deri më sot”, pati thënë Ditmir Bushati një komision. Këshilli i Evropës njohjen e pakicave nga ana e Shqipërisë e pati vënë si një nga pesë kushtet që vendi ynë duhet të plotësojë të nisë rrugën e integrimit të saj drejt Evropës. /Shekulli

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara