Mitsotakis: Nuk e mbështesim Bullgarinë në bllokadën e Maqedonisë së Veriut

13:50 | 30 Shtator 2021

Një mesazh i qartë se Greqia nuk e mbështet Bullgarinë në bllokimin e perspektivës evropiane të Maqedonisë Veriore u dërgua nga kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis gjatë pjesëmarrjes së tij në “Forumin Demokratik të Athinës”, duke theksuar se është një “ndërlikim i panevojshëm”, njofton AIM nga Athina.

Gjatë diskutimit me Steven Erlanger, redaktor i korrespondencës evropiane të “New York Times”, kryeministri grek foli për një numër temash aktuale në Greqi, përfshirë integrimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkim.

“Jo ne nuk e mbështesim Bullgarinë. E konsiderojmë këtë një ndërlikim të panevojshëm”, tha Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis kur u pyet nëse Greqia është në anën e Bullgarisë në bllokimin e perspektivës së BE-së për Maqedoninë e Veriut.

Kryeministri grek iu referua Samitit të ardhshëm BE-Ballkan Perëndimor në Slloveni, duke theksuar se një mesazh i qartë duhet të dërgohet prej andej se Ballkani Perëndimor i përket Evropës.

“Brenda pak ditësh do të takohemi në Slloveni. Duhet t’i ofrojmë Ballkanit Perëndimor një perspektivë të qartë evropiane. Duhet të flasim hapur për zgjerimin. Ne duhet të dërgojmë një sinjal që në 10-15 vjet, aq sa është e nevojshme, por që Ballkani Perëndimor i përket Evropës”, tha Mitsotakis, duke shtuar se vakumi i mundshëm që do të krijohej “do të pushtohet nga lojtarë të tjerë”./Telegrafi/

Lajmet më të lexuara