Miss Serbia largohet nga konkursi i bukurisë pas fotos me simbolin e shqiponjës

20:43 | 27 Tetor 2021

Miss Intercontinental Serbia, Valentina Petroviç është tërhequr nga konkursi i bukurisë pas kritikave të shumta në mediat serbe për foton ku ajo pozon duke bërë simbolin e shqiponjës së bashku me Miss Shqipërinë, Miss Malin e Zi dhe Miss Kosovën.

Fotoja e publikuar në rrjetet sociale nga Frontina Gashi, përfaqësuesja e Shqipërisë në konkurs, shkaktoi zhurmë të madhe mediatike në Serbi.

Përmes një statusi në rrjetet sociale Valentina Petroviç ka kërkuar falje për atë që e cilëson ‘moment spontaniteti të pamenduar dhe rënie në grackën e qëllimeve të këqija të dikujt tjetër’, ndërsa njofton se ka hequr dorë nga gara.

“Shteti ynë është simboli i vetëm që mbaj në zemër. Unë thjesht nuk mendoja kur ndodhi ky akt. Më vjen shumë, shumë keq, ndaj përveç një ndjese të thellë, mora vendimin t’u kërkoja leje organizatorëve për t’u larguar nga konkursi dhe kështu të çlirohem nga presioni aktual që po mbaj”, thuhet në reagimin e Missit./Euronews/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara