Maqedonia merr 530 milionë euro kredi nga FMN

20:17 | 22 Nëntor 2022

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka njoftuar se ka miratuar një kredi prej 530 milionë euro për Maqedoninë e Veriut për ta ndihmuar atë të përballet me pasojat e pandemisë Covid-19 dhe efektet e luftës në Ukrainë. Sipas marrëveshjes dyvjeçare, FMN do të transferojë menjëherë 110 milionë euro, të cilat do të pasohen me pagesa të shumëfishta, me kusht që Shkupi të respektojë kushtet e marrëveshjes.

“Maqedonia e Veriut u godit nga dy goditje të njëpasnjëshme globale. Ndërsa shërohej nga pandemia, situata u përkeqësua përsëri pas pushtimit rus të Ukrainës dhe një rritje të mprehtë të çmimeve globale të mallrave”, thuhet në deklaratën e FMN-së.

Shefi i FMN-së Bo Lee vlerësoi “kornizën e shëndoshë të politikave” të vendit përpara pandemisë, duke thënë se ajo kishte nxitur një rritje solide dhe me bazë të gjerë, me borxh publik dhe të jashtëm të moderuar.

“Sidoqoftë, situata makroekonomike është përkeqësuar ndjeshëm për shkak të pandemisë dhe rritjes së çmimeve të mallrave”, tha Lee.

Kuvendi i Maqedonisë më 16 nëntor miratoi Projektligjin, me të cilin vendi do t’i vërë në dispozicion 530 milionë euro mjete nga Instrumenti i kujdesshëm dhe likuiditetit të FMN-së, si dhe 20 milionë euro të tjera sipas Ligjit të miratuar për huamarrje nga Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim – Banka Botërore, sipas Marrëveshjes së Huasë për financimin e Projektit për ndërtimin e institucioneve efektive, transparente dhe të përgjegjshme për menaxhimin e financave publike./Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale