Gjykata Kushtetuese e Bosnje e Hercegovinës e ka shpallur jokushtetues një Ligj Zgjedhor paralel të Republikës Sërpska, entitetit serb të Bosnjës.
Në një vendim të enjten, Gjykata Kushtetuese deklaroi se ligji i kontestuar nuk është në përputhje me Kushtetutën e Bosnje e Hercegovinës e as me Ligjin Zgjedhor të saj, për shkak se kështu ligji i Republikës Sërpska do t’i merrte përsipër kompetencat që i takojnë vetëm ligjit në fjalë të Bosnjës.
Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi Ligjin Zgjedhor të Republikës Sërpska dhe erdhi në përfundim se nuk ka dispozita kushtetuese në bazë të të cilave mund të vërtetohet kushtetutshmëria e ligjit të kontestuar që u miratua nga Asambleja Parlamentare e Republikës Sërpska.
Në shpjegimin e vendimit, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se bëhet fjalë për “çështje shumë serioze dhe komplekse të kushtetutshmërisë së ligjit të kontestuar zgjedhor të Republikës Sërpska”.
Ligji Zgjedhor i Republikës Sërpska parashikonte përvetësimin e kompetencave shtetërore të subjekteve në fushën e zgjedhjeve.
Kjo nënkupton se Komisioni Republikan Zgjedhor i Republikës Sërpska e merr rolin e Komisionit Qendror Zgjedhor të Bosnje e Hercegovinës në organizimin e zgjedhjeve lokale, si dhe zgjedhjet për Asamblenë Parlamentare të entitetit dhe për presidentin dhe zëvendëspresidentin e Republikës Sërpska.
Ambasada amerikane në Sarajevë e kishte quajtur antikushtetues dhe në kundërshtim me Marrëveshjen e Dejtonit krijimi i një sistemi zgjedhor paralel nga Qeveria e Republikës Sërpska.
Me Marrëveshjen e Dejtonit të vitit 1995, që i ka dhënë fund luftës në Bosnje e Hercegovinë, ky vend është ndarë në dy entitete autonome – Federata e Bosnje e Hercegovinës dhe Republika Sërpska – plus Qarku i Bërçkos, që është njësi administrative vetëqeverisëse. Të gjithë bashkë janë nën ombrellën e qeverisë federale dhe presidencës me rotacion.
Prej atëherë, entitetet nuk kanë juridiksion dhe as nuk mund të organizojnë zgjedhje në gjithë territorin e Bosnjës. Kushtetuta e Bosnje e Hercegovinës nuk u jep të drejtat entiteteve për zhvillimin e zgjedhjeve./rel
Hapet në BQK ekspozita “Paraja rrëfen: 100 vjet jetë dhe ngj...
Arrestohet në Kosovë një person me urdhërarrest ndërkombëtar...
Mourinho optimist para përballjes me Real Madridin
Prokuroria Speciale arreston një person për dhënie ryshfeti ...
Sekuestrohet një armë zjarri në Kaçanik, shoqërohet në polic...
Szoboszlai në radarin e Realit – Liverpooli i ofron kontratë...