Eurodeputetët: Hiqni tarifat roaming për Ballkanin Perëndimor

14:56 | 23 Nëntor 2022

Një grup prej më shumë se 80 anëtarësh të Parlamentit Evropian i ka kërkuar KE-së që të përfshijë vendet e Ballkanit Perëndimor në zonën e roamingut pa pagesë.

Në një letër dërguar presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, eurodeputetët theksojnë se vendet e rajonit “partnere të besueshme të bllokut evropian” dhe se me rekomandimin e Komisionit në tetor për t’i dhënë statusin e kandidatit Bosnjë dhe Hercegovinës, u shënua “një tjetër moment historik” në politikën e zgjerimit të unionit.

“Për këtë arsye, ne i bëjmë thirrje KE-së që të paraqesë sa më shpejt një udhërrëfyes të qartë i cili t’u japë fund tarifave shtesë të roaming-ut mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që zona e Roamingut të lirë të zgjerohet për të mirën e qytetarëve evropianë. Koha për të vepruar është tani”, thuhet në letër.

Deputetët theksojnë se një hap i tillë duhet hedhur sidomos pas fjalimit të Von der Leyen në Parlamentin Evropian më 14 shtator, ku ajo u zotua të fuste dhe Ukrainën në zonën evropiane të Roaming-ut pa pagesë.

“Ndërsa ju keni mbështetjen tonë të plotë për këtë përpjekje, ne dëshirojmë të tërheqim vëmendjen tuaj drejt një rajoni tjetër evropian që meriton të përfitojë nga roaming falas, përkatësisht vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha Thomas Waitz, eurodeputet dhe bashkëkryetar i Partisë së Gjelbër Evropiane.

“Kjo jo vetëm që do të ndihmojë në mbylljen e hendekut me BE-në, e do të ndihmojë gjithashtu pengesat e përditshme që hasin qytetarë të Ballkanit Perëndimor, të cilët jetojnë dhe punojnë në Bashkimin Evropian BE, për shkak të tarifave të shtrenjta të roaming”, shtoi ai.

Në vitin 2017, Bashkimi Evropian njoftoi se po shqyrtonte uljen e tarifave të roaming për Ballkanin Perëndimor, pas thirrjeve nga vendet kandidate për të hequr tarifat. Korrikun e vitit te kaluar, u hoqën tarifat roaming vetëm brenda vete vendeve te Ballkanit Perendimor./TCH

Shpërndaje në rrjete sociale